
Sot kam njohur një grua që kishte tradhëtuar….
Sot, njoha një grua që kishte tradhëtuar.
Ja dallova tek sytë ‘mëkatin’. E kishte të shkruar në mimikë bezdinë që i shkaktonte bota përreth. Qëndronte shkujdesur, mbështetur ne xhamin e autobusit, me kufje në vesh, me sy përhumbur, dhe një gjysëm buzëqeshje, fshehur diku nëpër buzë.
Ishte e shoqëruar, por ndihej vetëm. Dukej që ndihej vetëm. Sepse nuk i hoqi në asnjë moment kufjet qe ja mbanin botën larg.
Nuk mundohej asesi të fshihte një krenari ‘budallaqe’ që i lexohej në portret…dukej sikur donte t’ja bënte të ditur personit që e shoqëronte ‘pabesinë’ e saj. Ndoshta, për çudinë time dhe të çdokujt që ja kishte lexuar tradhëtinë në sy, portreti i saj ‘mëkat-plotë’ nuk mbante asnjë grimcë ndjenjë faji. Të paktën unë kështu mendova.
Erdhi momenti që duhej të zbrisnin. Ai e kapi nga dora. Ajo ngriti sytë ta shihte, deri diku e habitur, se kush ishte ky që i mbante dorën. E teksa zbrisnin, me qetësi dhe pak bezdi, që, sërish as u mundua ta fshihte, ja lëshoi doren. Dhe portretin e përhumbur, ja mbuloi një ndjenjë faji, ose dhimbje, s’di si ta quaj.
Ndihej në faj ndaj vetes…ndihej në faj se dorën ja shtrëngonte dikush, që lumturinë nuk ja dhuronte më…
Sot, kam njohur një grua qe kishte tradhëtuar veten!
Më e shëmtuara e të gjitha tradhëtive!
24.08.2015
©AZ