
Kam frikë që ti nuk e di…
Fjalëve të mia aq të dashura, ti gjithmonë ja ke zbehur rëndësinë si askush tjetër. Më thoje gjithmonë: ‘Ti e di An, unë jam e veprave, jo e fjalëve.’
Kishe të drejtë. Ti vërtet ishe e veprave, e 1001 të tillave. Më tregoje çdo ditë se sa mirë më njihje, se si ma dije zërin, shkrimin, sytë. Çdo fjalë që nxirrja nga goja ti ja dije vendin. Çdo thyerje, e dhimbje të zemrës dije ta shëroje me një përqafim, ose duke qeshur, ose me një film, ose thjesht vije dhe rrije aty, ngjitur me mua. Pa fjalët e mia aq të dashura, po me veprat e tua që flisnin aq shumë.
Ka vetëm një problem. Veprat bëhen pak të vështira kur në mes janë plot 8263 kilometra. Më mësove të të kem afër për çdo gjë, edhe kur vetë ika larg. Më mësove të të kem krah për çdo zgjedhje. Ishe gjithçka unë kisha nevojë, kurdo unë kisha nevojë. Më bërtisje kur duhej, ndër të paktët njerëz që më bëje të mbyllja gojën. Më nxisje për çdo gjë që mi fliste zemrë. Ti ma njihje atë shumë më mirë seç e njihja unë. Më bëje të flisja nga zemra dhe të thoja gjithçka fshihja pas fjalëve të tepërta.
Më kujtohet sa herë lije çdo gjë për tu marrë me dramat e mia. Sa herë jepje gjithë vëmendjen tënde në budalliqet që më dukeshin të rëndësishme. Sa herë mbaje streset për mua, duke ma lehtësuar dhe zbukuruar mua situatën.
Ke qënë mbrojtësja ime më e hekurt. Më ke mbrojtur ngaçdokush, edhe nga vetja ime kur është dashur. Më ke lënë të përkëdhelem kur e kam patur të nevojshme, dhe më ke ulur më këmbë në tokë, kur fluturoja tepër. As edhe një herë të vetme nuk ke thënë diçka që të më lëndojë. Ke qënë shumë herë më mirë se ajo që mund të kisha kërkuar për shoqe.
Prej teje dhe nga ty mësova të jem shoqe. E kam qënë shoqe shumë e mirë me të gjithë, por nuk e di a kam qënë mjaftueshëm për ty, a kam qënë gjithçka ti ke merituar dhe meriton.
Ja ule rëndësinë dhe madhështinë kilometrave, dhe vazhdon të më jesh afër në zemër më shumë se kurrë. Vazhdon ta kuptosh njëlloj si dikur çfarë ka që nuk shkon, edhe kur mendoj që s’kam lënë asgjë të kuptohet. Megjithëse i dua fjalët shumë, ty kurrë nuk ti kërkova. E shikoj, e ndjej dhe e jetoj se kush jam dhe ç’vend kam unë tek ty. Kam frikë se ti nuk e di, se nuk e kam thënë mjaftueshëm, se nuk ta kam treguar majftueshëm.
Më ke duruar, e mbi të gjitha kuptuar në ditë që unë mendoja nëse do kisha një si vetja përballë, do e kisha rrahur, në ditë që nëse do kisha një si vetja përballë do e kisha sharë. Ti jo. Ti ke qëndruar, e me shumë butësi më ke ‘sjellë në vete’.
Kam frikë që nuk e di, e nuk ta kam thënë mjaftueshëm, por je dhurata më e bukur që më ka bërë universi, që akoma nuk e di nëse të kam merituar.
Ti do të levizje botën nga vendi për mua, e do ma jepje në duar që ta bëja rrotullimin si të më vinte për shtat, por edhe unë për ty, e unë kam frikë që ti nuk e di!
©AZ