
Ti vjen erë ‘të shtune’
Ndjeva parfumin tënd diku në rrugë sot.
Papritur më kaploi dhe malli i perqafimit. Nuk është se ka kaluar kohë nga hera e fundit që të takova, po ndoshta ai parfumi yt papritur ma risolli dëshirën e të zhyturit në tëndin përqafim.
Seç më jep një ndjesi ai parfumi jot. Ajo ndjesia e një të shtune me diell pranvere, pushim. Ndjesia e asaj qetësisë plot pushtet dëshirash, ku dita ime varet nga unë dhe dëshirat e mia, e asgjë tjetër. E asaj të shtunës ku dielli vjen mjaft i ngrohtë po aspak i bezdisshëm.
Ti vjen erë ‘të shtune’. Se parfumi jot më sjell automatikisht buzëqeshje në zemër.
Ti ke ardhur fiks në kohën e duhur në timin univers. Kur i mungonte buzëqeshja e mirëfilltë, kur i mungonin të qeshurat me shpirt, kur i mungonte dhe dëshira për të jetuar siç duhet e siç i ka hije një të shtune.
Nuk është se bëre magji, thjesht ashtu me buzëqeshje e rrëmujën tende me kujtove veten, me kujtove të kërkoj buzëqeshjen e humbur diku rrugës, më kujtove të isha e rëndësishme për veten, se mund të isha për dikë po aq e shtrenjtë saç ishin të tjerët për mua. Më kujtove që gjithçka doja do mund ta arrija duke u nisur të kujdesesha për veten. Kujtesën që më kish humbur ma ktheve në vend…me shumë mundësi me erën e përqafimit prej ‘të shtune’.
Kjo aroma e papritur në rrugë më rikujtoi gjithçka më ndihmove të mos harroj.
Të mos harroj sa shumë e dua diellin. Të mos harroj të ngre kokën në qiell sa herë më bëhet shumë e rëndë ngarkesa për ta mbajtur vetëm. Më ndihmove të mos harroj sa shumë e dua lirinë duke mos harruar kurrë të ishim “Unë dhe ti” edhe duke qenë “Ne”.
Të mos harroj sa shumë e dashuroj jetën dhe kur është rrëmujë.
Të mos harroj të shijoj një të shtunë.
Sa mirë që erdhi kjo aromë papritur në rrugë.
Po po, po vij të të përqafoj, të ta ndjej erën e të ti shoh sytë. Asnjëherë nuk del tepër pak ‘e shtunë’.
© AZ