
Nuk ta kam nevojën, Por pranë të dua!
Nevojën nuk ta kam.
Çdo gjë bej dhe kam arritur deri më sot jam mësuar të luftoj vet. Jam mësuar të di si ta sjell veten në terezi edhe në me të këqijat ditë. Jam mësuar ta ngre nga më i madhi trishtim dhe ti buzëqesh jetës po njëlloj. Di ti dal zot vetes.
Derisa një ditë të bukur (nuk ka qënë edhe aq e bukur në fakt, ka qënë ftohtë dhe vranët), ti hyre në jetën time. As mund ta imagjinoja në ato momente se do të ishe në piedestalin që je tani. Në ato momente as e kisha idenë, që do vinte një moment që do më ndryshonte mimika, sapo të të dëgjoja emrin. Nuk shkonte as në imagjinatën më të largët që ty do të të kisha kaq të rëndësishëm sa më je bërë.
Nuk ndodh asgjë në ditët që nuk të takoj. Nuk më humb sensi i të jetuarit, nuk më kaplon trishtimi, nuk harroj të bëj punën. Nuk ndodh asgjë. Vazhdon përditshmëria krejt normalisht.
Por, në ato që të takoj? Ato bëhen më të bukura, unë jam shumë herë më e qeshur, së brendshmi më e lumtur. Pa asnjë arsye tjetër, përveç se do të arrij të të përqafoj, dhe të të shoh, dhe më vjen lumturia krejt natyrshëm. Do të mund të kërceja në rrugë, kur e di që jam duke ardhur tek ty. Më vjen gëzimi vet.
Kështu që jo, asgjë nuk ndodh në ditët që nuk të takoj,
ama ndodh gjithçka në ato që e bëj!
Prania jote në ditën time, e bën atë direkt një ditë të bukur. E unë ditët e bukura i dua shumë.
Kështu që, nevojë për të të patur në jetë nuk kam. Nuk do të ndodhte asnjë tragjedi nëse nuk do të të kisha.
Ndërsa dëshirë? Shumë! Pambarim! Një dëshirë të pafund për të të thënë të parin “Mirëmëngjes” dhe të fundit “Gjumë të qetë”. Për ta nisur dhe mbyllur ditën tek të njëjtët sy, tek i yti përqafim.
Do të dija ta jetoja shumë mirë jetën time edhe pa ty, e ndoshta do gjëja sërish forma të isha e lumtur, por ja që nuk dua. Dua të të kem pranë e të kem mundësinë të të bezdis aq sa të ngresh zërin, ama gjithsesi të qëndrosh.
Dua të kem mundësinë të grindem edhe për budallallëqet, që edhe vet, e di që po e teproj, e të shikoj, se si zgjedh të qëndrosh pavarësisht. Se si më zgjedh mua kurdo dhe kudo, sepse unë zgjedh çdo ditë të të mbaj në të njëjtin piedestal dhe lartësi.
Jo, nuk kam nevojë për ty, ama, tani që të kam njohur do me vinte shumë keq nëse do kisha jetuar jetën pa të patur kurrë në të.
I shton ngjyra e jetë çdo dite times që i sjell tënden, andaj të dua në secilën prej tyre.
©AZ