
Një shtëpi në përqafim
Doli nga puna duke mbërthyer fort pallton. Ngriti kokën nga qielli dhe pa që yjet kishin nisur të mbushnin qiellin e errët të dhjetorit. Çdo gjë në qytet kishte nisur të ishte festive, rrugët, lokalet, madje edhe njerëzit ishin më festivë. Ajo ndihej e qeshur se brendshmi, sikur universi po e përgatiste për diçka të bukur. Ndonjëherë këto ndjesitë e bukura që vijne nga hiçi, zgjedhim ti shijojmë pa pyetur veten përse.
Teksa ecte me duart futur në xhepa, hapin e nxituar ja ndali zëri i dikujt.
– Hej! Kohë pa u parë.
Ishte zë i njohur.
– Ooo hej. Po vërtet.
– Si je ?
– Shumë mirë. Ti?
– Mirë dhe unë. Vazhdon të jesh plot dritë pozitive.
– Oh, faleminderit. Mu bë qejfi që të pashë.
– Gjithashtu.
– Mirë pra. Shihemi. Mbrëmje të bukur.
– Do doja të mos ja linim rastësisë në fakt. Do dalim të pimë një gotë?
– Ah !- dukej qartë habia në zërin e saj. Në rregull, përse jo. Flasim për të lënë një ditë.
– Ne rregull pra. Do flasim.
Dhe u afrua ta përqafonte.
– Natën pra.
– Natën. – tha ajo me zë fare të vakët.
Ndjeu se ju desh pak kohë të lëvizte nga vendi. Kishte ngrirë nga rastësia që i kish sjellë pikërisht atë para këmbëve dhe nga fakti se ky njeri praktikisht i panjohur ishte në gjendje ta bënte të ndihej një përqafim si ‘shtëpi’.
Ai ishte i fundit që ajo priste të takonte atë ditë. Por, kuptoi që kish patur vërtet dëshirë ta shihte. Asgjë nuk ishte realisht. Ai ishte thjesht dikush që, që ditën e parë që kish folur i kish lënë ndjesinë e dikujt që arrinte ta dëgjonte vërtet e arrinte t’ja lexonte dhe sytë. Po ishte thjesht nje ndjesi. Asgjë pra.
Kish kaluar kohë nga hera e fundit që kish folur me të, dhe nuk kishte qënë biseda më e bukur në botë, por kishte diçka tek ky njeri që i bënte të qeshnin dhe nervat e saj. Kish diçka tek ato përqafimet-shtëpi…
Tundi kokën dhe vazhdoi të ecte si për të përzënë mendimet nga koka. Nxori telefonin nga çanta për të parë orën.
“Të enjten në 20.30?
Mundesh ?
Verën e kam unë…ti e di në fakt.”
Ishte thjesht një ndjesi… Ndjesitë janë rrallë të thjeshta, e aq më pak asgjë.
Ah! Një psheretime i doli nga një pjesë e shpirtit që as e dinte që e kishte. Se kështu funksionoka universi.
Një ditë çfarëdo, në një rrugë, një dikush, vjen e të tregon që për shpirtin që mban ti në kraharor ai ka një shtëpi në përqafim!
04.12.2016
@AZ