
Festa më e gjatë
Çdo ditë është një surprizë. Askush nga ne nuk garanton dot asgjë nga ajo që dita do të të sjellë. Populli ynë thotë: ‘Çfarë e sjell minuti, nuk e sjell viti!’
E kur vjen puna për Dashurinë, këtë mund ta vërtetojë kushdo, gjithë kohës. Dashuria është surpriza më e madhe që rezervon universi. Ajo vjen kur më së paku e pret, në momentin më të rrëmujshëm të mundshëm, kur je çdo gjë përveç se gati për ta ndjerë.
Por, ja që ndodh!
Ndodh të dashurohesh me dikë që të bën të të lëvizi toka nën këmbë.
Dikë që vetëm emrin t’i dëgjosh dhe të hipën gjaku në fytyrë dhe në mënyrë krejt të pandërgjegjshme buzët formojnë një buzëqeshje të lehtë që pasqyrohet edhe në sy.
Ndodh që ky dikush do i flasë shpirtit tënd përpara se të të flasë ty.
Ky dikush që do të të përqafojë zemrën përpara se të hapë duart.
Ky dikush që do të të bëjë lëmsh të rrahurat në kraharor sa herë të të vërë dorën në sup.
E nëse je me fat, me siguri të gjitha këto do ja shkaktosh dhe ti, e sa herë të jeni bashkë do të jetë si bashkimi i dy forcave të kundërta po plotësuese.
Do të jetë si nëpër filma, që vetëm nga mënyra se si do shiheni, do duket tej përtej së çfarë ju bashkon ju te dyve. Çdo kush qe do ju shohi do arrijë ta kuptojë.
Ama, nuk do të jetë gjithmonë e thjeshtë, e nuk do jetë gjithmonë fishekzjarrë e lule. Sepse për gjërat e shtrenjta e të bukura luftohet, e ndonjëherë luftohet fort. Duhet durim, e duhet të qëndrosh përtej asaj që ke menduar që do e bëje. Do e kuptosh që është i duhuri, se do dije të ta kërkojë kohën që do ketë nevojë.
Ne jemi rrallëherë gati për momentet e mëdha në jetë, ato zakonisht na vijnë befasisht prandaj shpesh kemi nevojë për kohë për tu orientuar e përshtatur. Sepse të gjesh atë personin që i flet gjysmës tende te fshehtë, atë që të kupton e nëse jo, është shumë i gatshëm të ulet me ty e të mundohet ta bëjë, është arsyeja përse janë shkruar aq libra e përse këndohen aq këngë.
Te gjesh atë që është i gatshëm të të dhurojë kohën e tij për të të njohur të fshehtat e zemrës e në të njëjtën kohë të ndajë me ty shpirtin e vet.
Por, kjo ka nevojë për kohë, ka nevojë për përshtatje, ka nevojë për rritje.
Koha është prona me e shtrenjtë që kemi, e nëse vendosim t’ja japim dikujt, do të thotë shumë. Ashtu njëlloj ndodh nëse dikush vendos të na japë neve te vetën, duhet ta vlerësojmë vërtet nëse e bën.
Ama, e sigurt është, që dashuria, ajo e bukura dhe ndjera dhe e vërteta, është dhurata më e bukur që universi na ka dhënë. Është justifikimi dhe mënyra se si universi kërkon falje për të gjitha ditët e vështira, për gjithë lodhjen e punës, për të gjitha dhimbjet e pamerituara.
E nëse akoma nuk e keni gjetur, është aty jashtë, dhe i gjithë universi është duke u përgatitur për t’ju bërë bashkë.
Në realitetin e përditshëm, ka vetëm një magji dhe ajo është dashuria. Është ajo që do të mbulojë kohën më të gjatë të jetës tënde, është ajo që do bëjë çdo ditë më të bukur.
Është rrugës, është duke ardhur, është festa që zgjat më gjatë. Vetëm edhe pak durim!
Do jetë aq e bukur sa do duash të nisë sa më shpejt, ama do jetë aq e shtrenjtë sa çdo durim i sotëm do justifikohet!
Sepse dashuritë e mëdha, të bukura e të vërteta nuk vijnë kur më shumë i duam e i kërkojmë, vijnë kur më shumë jua kemi nevojën, e vijnë për të na vënë rregull në jetë e jetë në zemër!
©AZ