
Do të jetë tepër vonë.
Unë ta kisha thënë. Nëse do ikësh, do vish kur të jetë tepër vonë. Koha, nuk qe kurrë një pikë e fortë e jotja.
Ti ike pa lajmëruar që do ikje. Ike si shumë histori në këtë botë. Po shkoj të marr diçka, po bie të fle, po shkoj të ble një paketë…dhe puf; u zhduke.
** **
Ajo më thoshte gjithnjë: Po ike, do jetë tepër vonë kur të kthehesh.
E vërteta, unë nuk doja kurrë të ikja prej saj. Kush dreqin mund të donte të ikte prej saj? Ajo ishte furtunë dielli. Ngrohte edhe kur ngrinte çdo gjë. Ndriçonte dhe kur shkatërronte çdo gjë.
Nuk pata asnjë moment guximin ti thoja që nuk doja ti thoja Mirupafshim, se vërtet shpresoja që do kthehesha sërish.
** **
Kanë kaluar mjaft kohë nga koha jonë. Ne s’jemi të pavdekshëm. Ama jemi të pazëvendësueshëm. Në një mënyrë ose një tjetër, kjo na bën dhe pak imortal. Prandaj ike ti? Doje të kënaqje narcizmin tënd me një pavdekshmëri të pjesshme në jetën time?
** **
Dreqi ta hajë! Pse duhet të jetë kaq e vështirë ti thuash dikujt që e do, por nuk mundesh ti qëndrosh dashurisë, si do të doje.
Ndoshta është dhe thjesht çështje guximi. E mbaj veten dhe për trim palé.
Ka kaluar shumë kohë nga kohë jonë, e imja dhe e saja. Tani është vërtet tepër vonë. Ajo kishte të drejtë edhe për këtë.
** **
Kaloj rrugën me shpejtësi se në këtë qytet asgjë s’është e sigurt, as një semafor jeshil. Të kalosh rrugën me karrocë fëmijësh duhet të jetë patjetër një sport ekstrem në këtë vend.
U shkëmbyem.
Të thashë, ti do të vish tepër vonë.
Nxitova për tek lokali ku më priste ime motër. Ajo gjithmonë kishte aritmi kur vajzën e merrja unë.
– Do ma tërbosh pa mësuar të flasë, tha, dhe u ngrit menjëherë të afronte karrocën tek vetja.
– Pse je zbardhur kështu, duket sikur ke parë një fantazmë.
– Aty afër…- pëshpërita nën zë.
“Duhet të të uroj…?”
Patjetër, sot e gjete numrin për të sjellë një mesazh.
“Po.
Jam bërë teze.”
Pse duhet ta çoja unë këtë? Në fakt doja ti çoja thjesht po, e të mendonte ç’të donte. Por, në këtë qytet që asgjë nuk është e sigurt, me siguri ai do e gjente mundësinë të më vinte sërish përballë. Justifikime të gjitha. Nuk do doja asnjëherë ta lëndoja ashtu gjithsesi.
“Atëherë, sot, në 9, tek vendi, do festojmë.”
“A do e kem vallë fuqinë të të them jo?” – e shkruajta; mendova; por sigurisht, nuk e dërgova. Jam trime deri tek mbrojtja atdheut, për zemrë time nuk isha kurrë mjaftueshëm.
E kam pyetur veten me kohë. Do mundem ti them jo, edhe pse do të vijë vonë?
** **
Mendoj që për pak më pushoi zemra. Mu desh të gjeja gjithë kurajon që kisha fshehur thellë në qënie për ta pyetur për atë karrocë që shtynte. Nuk i isha lutur kurrë ashtu Zotit për të marrë një përgjigje. Cilado qoftë ajo. Kur mesazhi erdhi, po lutesha për një jo. Nuk doja të ishte vonë. Nuk mund të ishte vërtet kaq vonë.
E megjithatë, i premtova vetes në ato sekonda pritje, që kjo histori do shkonte siç e meritonte.
** **
Në fakt, koha është e imja. Dashuria është e imja. Unë sot do festoj. Do e ngre gotën për veten, që e vendosa unë kur është vonë për mua, e jo kalendari!
** **
Ka një numër të caktuar gabimesh për të bërë njeriu në jetë, e unë i kam bërë të gjjtha! Veç ajo nuk është gabim. Për gjatë mendova që të paktën do mësoja shumë prej saj. Ajo nuk ishte mësim se nuk ishte gabim. Ajo është dashuria që priti vonesën time, se e dinte që në fakt nuk ika kurrë.
Ku iket nga ajo?!
© AZ