
Dhoma 202.
Ekziston një teori që ka një numër të pafundëm Toka-sh; të cilat zënë të njëjtën hapësirë, por vibrojnë në shpejtësi të ndryshme, prandaj edhe nuk bien në kontakt me njëra tjetrën.
Ama…ndonjëherë, mund të ndodhë, që dy prej tyre të gjejnë një mënyrë për të vibruar në ekzaktësisht të njëjtën shpejtësi, ndoshta ka një shans për to të jenë bashkë.
Koha. Fuqia e pashtershme dhe e pakundërshtueshme e saj.
Ne dhe ndjenja jonë e patjetërsueshme, sa përplasja e bashkimi i dy dimensioneve.
Unë nuk besoj në rastësi, ama besoj në univers dhe në çdo gjë ndodh për një arsye.
Ti je një shije “përgjithmon”-i në një jetë mbushur me të përkohshme.
Sot është e hënë. Askush nuk përgatitet për gjëra të mira të hënave. Përgatitet veç për mbijetesë. Por, ti ke një dëshirë të pashpjegueshme të më marrësh frymën. Më more me vrullin që të karakterizon për të më sjellë këtu. Dhoma 202.
Jashtë bën ftohtë. Rrethohet nga shumë pemë të larta. Por unë jam ngrohtë. Nuk di kur kam qënë kaq ngrohtë më parë. Ti gjithmonë e bën ngrohtë.
Mbrëmë, kur nuk ishim bashkë, po shihja një film. Nga këta që dua unë, me shumë përrallë e pak realitet. Doja shumë të ishe aty me mua, sa për të patur diku ku të mbështetesha. Për këtë jam më shumë mirënjohëse se për gjithçka, për rehatin që më ke dhënë ku të mbështetem. Për qetësinë që ka gjumi im kur je ti në anën tjetër.
Ti ke marrë gjithçka duhet për të mos dalë derisa ta vendosim ne të dy. Ngjan sikur një meteor do godasë Tokën dhe ne e kemi krijuar tashmë bunkerin tonë. Ti qesh teksa rreshton të gjitha gjërat që ke blerë, e unë mendoj se si këtë tingull nuk do lodhem kurrë duke e dëgjuar. Po po, edhe mund të jetë duke u rrezikuar Toka nga një meteor, por jo ne. Nga dhoma jonë – bunker qielli është gjithnjë i kthjellët e unë mund të vë bast që e shoh Aurora Borealis që këtu. Njeriu gjen gjithnjë dritën kur është i lumtur apo jo?
Dashuria duhet të jetë strehëza e sigurt e jo një fushë-betejë. Bota është mjaftueshëm e vështirë. Ti je shije paqeje në një botë që ndez luftëtaren brenda meje, sapo dal nga dera. Por, jo këtu brenda.
Brenda këtyre katër mureve, e brenda të gjithë katër mureve ku do jemi, ne do perëndojmë ditët me puthje e do agojmë netët me përqafime.
Mund të flesh shpirt, nuk është nevoja të më ruash ëndrrat.
Kur të zgjohemi, do i realizojmë bashkë.
Do kthehemi sërish për të festuar, këtu, tek dhoma 202.
© AZ