
Bashkë me të premten vjen edhe ti.
Janë kaq të bukura të premtet apo jo?
Mbaron java e lodhshme, nis fundjava. Duket sikur ke mundësinë të shijosh shplodhjen, e të paktën për pak kohë të mos mendosh për një të hënë të lodhshme, për një javë plot takime. Të premtes i marrim mundësinë për tu harruar për disa orë, për të humbur nën tinguj të lartë muzike, për tu zhdukur në tekstet e këngëve, për tu arratisur pas gotave që ngrihen si shenjë festimi të jetës, duke fshehur kështu shumë probleme e dhimbje. Megjithatë unë i jam kaq mirënjohëse të premtes. Na duhet herë pas here edhe me e harru dhimbjen, edhe me ju shmang problemeve, edhe me ju arratis realitetit.
Nuk është pak me pas lumturi veç prej një dite jave, që vjen çdo javë, dhe kështu çdo herë na sjell me vete paqen e rrëmujshme të fundjavës.
Por, në fakt, mua më lumturon e premtja, se bashkë me të, vjen edhe ti. Ti që di me zbut nervin e bërë kaçurrel nga java e ngarkuar, që di me ja ul rëndësinë mbledhjes së vajtur keq, ti që nuk më bën me harru asgjë të keqe, ama më kujton çdo gjë të bukur që ky univers ofron.
Bashkë me të premten vjen ti, e bashkë me ty vjen lumturia. Ti vjen e ma prish rendin e ditës, mi sjell kaos e rrëmujë gjithë 24-orëshëve që sjell veten.
Sa me fat mund të jem të të rigjeja sërish pas kaq shumë jetësh?!
Sepse nuk është hera e parë që ndeshemi unë e ti. Që herën e parë që na u shkëmbyen shikimet, shpirti yt njohu timin, dhe po, e di, mua mu desh më shumë kohë për të të njohur. Ama, e rregullova më vonë, në të gjitha herët që të shtrëngoja dorën edhe kur të kisha kthyer kurrizin. Ti e di më mirë se unë, sa të thjesht e ke me ma ndez zemërimin me të njëjtën forcë që më ndez dritën e dashurisë në sy.
Ti kam parë të gjitha gjendjet. Edhe nervin edhe qetësinë, ta kam ndjerë dhimbjen edhe lumturinë, ta kam dëgjuar këngën edhe vajin, e në të gjitha ato të kam dashur.
Të kam parë si të kryqëzohen vetullat dhe pa asnjë fjalë e veç me shikim, do i kishe vënë zjarrin gjithë universit. Por veç me pak dashuri zbutesh sërish.
Të gjitha këto mendime më vijnë çdo mëngjes të premteje, kur di që prej përqafimit tënd më ndajnë orët.
Sot ishte e premte nëntori, herën tjetër mund të jetë e mërkurë qershori, mund të rastisi edhe e martë marsi, a e shtunë prilli, për mua do jetë gjithmonë si e premte gushti çdo ditë që më vjen ti.
Ma sjell kaosin e plazhit, qetësinë e detit dhe lumturinë e diellit me çdo buzëqeshje e shkelje syri.
Mbetem në padurim për të hëna gërnjare me ty, për të marta të acaruara me ty, për të mërkura të qeshura me ty, për të enjte plot vrap me ty, për të premte të lumtura me ty. I gëzohem në maksimum çdo të premteje që më sjell ty, ama dashuroj që tani ditët e javës që do i presim e përcjellim të dy.
Je e premtja ime e verës që do doja të kisha në çdo të hënë dimri!
© AZ