
Vij tek ty !
Ka diell, fryn pak erë, sa për ti shtuar lezetin kësaj dite që mbante aromë pranverë. Lulet kanë nisur të ngjyrosin qytetin. Nuk mbeten pas as veshjet ngjyra-plotë, tashmë larg të zezës dhe entuziazmi I shtuar sikur të gjithë janë zgjuar nga gjumi letargjik. Kjo panoramë me qiell blu e lëvizje shumë, më jep edhe mua një valë pozitive. Hyj në dhomë duke mbyllur derën e ballkonit e filloj të të tregoj gjithë pasion sa kohë e bukur ishte e që duhet të dalim ta shijojmë. Ti buzëqesh e ashtu me zë të pazgjuar mirë më përqesh: “Ti sikur të jesh nordike o zemër, nuk ke të ngopur me diell.” Ashtu ende duke qeshur me batutën tënde, me përtaci çohesh që të më shoqërosh në dorezimin tim ndaj vitaminës D(iell), teksa më shtrëngon dorën e qesh me hedhjet e mia si fëmijë.
Dje binte shi përshembull. Më bezdis, ma prish terezinë, më jep gjumë, nuk është aspak i përshtatshëm për asgjë. Të jam ankuar gjithë ditën që mezi po prisja të shkoja në shtëpi, që nuk më shtyhej. E kur erdhi darka, vrapova të zhytesha në krahët e tu duke shfryrë qejfprishur për ditën e mërzitshme. Pak minuta më vonë, u ngrite, më solle një gotë verë, më puthe në ballë dhe u ule sërish në krahun tim.
Të kujtohet e enjtja që kaloi ? Kaluam gjithë ditën të zemëruar. Mezi shkembyem tri fjalë. Unë dola me gocat në darkë, e ashtu e “verosur” erdha në shtëpi duke u lutur gjithë rrugës që të kishe fjetur, kështu nuk do duhej të vazhdonim të ziheshim. Kur hyra në shtëpi te gjitha dritat ishin fikur, e dëgjohej veç televizori i dhomës. Ti kishe fjetur. Vura telefonin tashmë të fikur në karikim e megjithëse isha me kurriz e ndjeja frymëmarrjen tënde të paqtë. U ktheva edhe të putha lehtazi. Ne nuk do biem kurrë në shtrat të zemëruar, patëm premtuar ditën e parë që qendruam në shtëpinë tonë. Kur u zgjata të merrja telefonin të vija alarmin për të nesërmen, pashë mesazhin që më kishe dërguar para se të flije.
Erdhe tek unë, siç unë vij tek ti !
Unë vij tek ty gjithmonë. Ashtu si edhe ti vjen tek unë çdo ditë.
Sepse shiu do pushojë e dielli do dali, sepse bora do ndalojë e plazhi do fillojë, e ti do jesh aty pavarësisht të gjithave dhe gjithçkaje. Përtej stinëve, përtej matjeve kohore, përtej numrave. Vij tek ty kur jam keq, vij tek ty kur jam mirë, vij tek ty kur dua të kërcej, vij tek ty kur kam nevojë të zhytem në përqafim, vij tek ty mëngjeseve entuziastë, vij tek ty mbrëmjeve të lodhura.
E kam ditur që unë e ti kishim rrugë të gjatë për të bërë, në ditët që të kam zgjedhur ty pavarësisht sa pak doja që ta bëja, sa shumë mendoja që duhet të të largoja. Të zgjedh e më zgjedh në të gjitha ditët, sepse të gjitha këto janë të përkohshme, edhe moti, edhe zemërimi, edhe stinët, edhe mërzitjet, e ty, ty të kam të perhershëm.
© AZ