
Vajza-në-blu
Ka rënë mbrëmja. Një natë e ftohtë fund dimri që duket sikur arrin të të ngrijë edhe mendimet. Një nga ato netë ku dimri duket sikur lëshon të ftohtin me gjithë forcën, përpara se të largohet.
Bulevardi kryesor i qytetit gumëzhin nga hapat e kalimtarëve, dhe trokitja e shiut në rrugë. Makinat kanë krijuar tashmë trafikun modest të mbasdites së vonë të një të mërkure shkurti. Ka kaluar orari zyrtar, e është vonë që institucionet shtetërore të punojnë. Por, nëpër ministritë rreth e rrotull ende ka drita të ndezura.
Ajo del nga njëra prej tyre me një hap të ngadaltë, të denjë për daljen nga takimi i fundit i ditës, një hap të avashtë që të tregon lirinë për të shijuar shëtitjen kur s’ke askund për të nxituar.
Hap çadrën dhe futet në vazhdën e njerëzve që ecin vrullshëm në trotuar.
Vajza-në-blu.
Një pallto blu-deti gati deri në fund të këmbëve, një shall blu-nate rreth qafës hollake femërore, dhe si për të plotësuar panoramën, në njërën dorë çanta e saj blu në të zezë gati, dhe në tjetrën çadra e saj ngjyrë qiell-qershori.
Thua po shkon në lumturi Ajo? Apo thjesht po kërkon të zhytet në çarçafët e saj (blu, pse jo?!) dhe ti dorëzohet gjumit pas një dite të lodhshme.
A i rëndon kraharori nga pikëpyetje trishtimi, apo i mungojnë veç krahët për të fluturuar nga gëzimi?
Ajo ecën dhe ngre kokën lart e kontrollon nëse po pastrohet qielli; mos vallë arrin të dallojë ndonjë yll; kërkon të kuptojë a ka hënë kjo natë?
Seç ka diçka ndryshe tek njerëzit e qiellit, tek ata njerëz që gjëja e parë që bëjnë kur dalin në qiell të hapur është të ngrenë kokën lart. Ndonjëherë të japin ndjesinë që janë të pamposhtur. Çfarë mund ta thyejë dikë që pushon mendimet në pafundësinë misterioze të qiellit?! Çfarë mund ta mposhtë dikë që buzëqesh nga ajo që shumë njerëz ju frikësohen?!
Ecën me hap të bindur e të rëndë, sikur është zonja e vendit. Ka dhimbje tek Ajo. Ndoshta edhe zemërim. Janë shumë të prerë e të saktë hapat e saj. Njerëzit e lumtur duket sikur kërcejnë kur ecin. Në fytyrë duket sikur i janë mbledhur të gjitha buzëqeshjet diplomatike që të detyron puna, e më në fund nuk duhet ta bëjë më.
Ngadalëson hapin e ulet pranë një stoli. Duket qartë që pret dikë. Ajo blu-ja duket sikur ja ve në pah edhe më shumë trishtimin, a dhimbjen, a sikletin, thjesht diçka nuk shkon. Dukej si qiell i nxehur dimri që pritej nga çasti në çast të shpërthente.
I afrohet një vajzë. Me flokë derdhur mbi supe, fytyrë mistrece gati për ngacmime, e i shkon nga mbrapa, si për ta trembur. Ajo buzëqesh. Por, buzëqesh vërtet. Ajo buzëqeshja që të vjen kur ke gjetur zgjidhjen e një problemi, kur ka mbaruar një moment i vështirë, buzëqeshja e shpëtimit. Ngrihet në këmbë dhe e përqafon. E mban mikeshën e saj të ngushtë për disa sekonda nën petkun e saj blu.
Nisen të dyja drejt destinacionit të tyre. Nuk e di nëse e pyeti diçka, a i tha gjeësend, ama krejt papritur Vajza-në-blu, duket sikur ju shkri gjithë ngurtësia që të imponon puna. Sikur ja hoqi me dorë gjithë rëndesën që i mbanin supet.
Ashtu, me recetën që kanë miqtë e ngushtë, ajo familja që krijohet mbi besnikëri dhe jo mbi gjak;
Një përqafim, një shikim në sy për të lexuar çfarë nuk thuhet me zë, dhe një fjali, dhe duket sikur çdo gjë u zgjidh.
Kjo familja që ngrihet mbi besnikëri shpirti, nuk planifikohet. Ajo ndodh.
Janë ata njerëzit që i dinë më mirë se ty si të qëndron dhimbja në fytyrë, si të shtrihet gëzimi në supe, si të bëhet mimika ne luftë, janë ata që të ruajnë krahët e që të mbajnë vendin.
Diku, pesëqind metra mbi atë stol ku ish ulur pak më parë Ajo, u dëgjua një e qeshur e dalë nga shpirti. Ishte vajza-në-blu.
Ecte gati duke kërcyer, dhe fytyra i ishte pastruar nga mpirja. Nuk i ndjehej më trishtim, apo që diçka nuk shkonte.
U hap qielli i zemëruar e tashmë Ajo, kish marrë pamjen e detit Jon në një mëngjes të ngrohtë qershori…
Se veç me dashuri mund t’ja shpëtosh dikujt botën, e veç me dashuri mund të hapet një qiell shpirti i zemëruar.
Sepse blu-ja e shpirtit, nuk ka nevojë për magji, ka thjesht nevojë për miqësi; nga ajo e vërteta, nga ajo që ngre familje, nga ajo që shpëton botën…
Ndonjëherë, kur puna është shumë e lodhshme, kur zemra thyhet sërish, kur asgjë nuk po shkon ku e do ti, kur universi është bërë shumë rrëmujë për ta kuptuar, një vajzë ka thjesht nevojë për shoqen e saj të ngushtë për tu ngritur sërish në këmbë.
…sepse ka disa gjëra në jetë që veç miqtë e ngushtë mund të ti zgjidhin!!
© AZ