
Unë jam aty, e Ti qëndro.
We all need someone to stay.
Vancouver Sleep Clinic nuk hyn tek grupet që do kërkoja se s’bën ti ndiqja live, ama me këtë këngë sot vajtën në një pjesë të shpirtit që të flet veç ty.
Unë kam nevojë që ti të qëndrosh. Mua më është shembur besimi. Edhe tek vetja, edhe tek tjetri, edhe në dashuri. Ndaj më duhet që ti të qëndrosh!
Më duhesh aty.
Ti e di që unë do të të pres.
Nuk mund të jesh gjithçka për askënd. Andaj unë zgjedh të jem ajo që jam aty. Jam aty kur të duhem. Jam aty kur më kërkon. Jam aty për ty e dua që ti të jesh aty për mua.
Në ato ditët që ti do të zësh në heshtje atë kolltukun e cepit, do të jem aty.
Nuk do të të flas. Do afrohem sa për të të sjellë gotën me pijen tënde të preferuar, e me shumë gjasa do të vendos shkujdesur diçka në tavolinë për të ngrënë, e do të shkoj në cepin tim. Ndoshta edhe në dhomë. Mundet që edhe të dal për të të lënë në tënden rrëmujë. Kur të të duhet paqja e di që do vish të më gjesh.
Do të ta lë e do të ma lësh të paprekur lirinë.
Nuk mendoj që ka diçka më të shtrenjtë për njeriun se liria.
Ta shohësh hënën kur të duash. Ta ndjesh diellin sa të mundesh. Të marrësh frymë lirshëm.
Unë në përqafimin e parë me ty, kuptova që nuk e kisha njohur mirë lirinë deri në atë sekond. Unë në shtrëngimin tonë të parë të duarve, kuptova që nuk kisha qënë kurrë më e lirë se në atë moment.
Andaj dua që ti të qëndrosh që dhe unë të vazhdoj të jem e lirë.
Kështu që, kur të vish për të qëndruar, të pres.
Nuk kemi pse nxitojmë, “Kemi gjithë jetën para” – është një kohë e gjatë.
Ne jemi misione. Hyjmë në jetën e njëri-tjetrit për të lënë diçka e në rastet me shumë fat, për të marrë diçka.
Jemi të përkohshëm. E përkohshmja jonë është “gjithë jetën para”.
Çohem të mbush një gotë verë për veten, e të marr telefonin që e kam lënë në karikim që kur kam hyrë në shtëpi. E paskam harruar pa zë. Tre thirrje të humbura dhe dy mesazhe:
“A je aty?”
“Ç’pyetje! Ti gjithnjë je aty. Po vij tek ty. Do qëndroj aty.”
Filloj të qesh si rrallë më parë. Një e qeshur që del nga shpirti.
Ndërkohë dëgjoj zilen e derës. Vij duke fluturuar. Hap derën. Ti qëndron aty, stoik dhe i qeshur, siç vetëm ti di të jesh.
“A do i përgjigjesh ndonjëherë atij telefoni në këtë jetë?!”
“Çke? Pse mërzitesh? Kemi gjithë jetën përpara!”
Të tërheq në përqafim dhe mbyll derën pas krahëve të tu. Sepse po, ne, e kemi gjithë jetën përpara.
© AZ
18.12.2021