
Unë iki duke të të parë në sy!
A e ke dëgjuar ndonjëherë tingullin e një zemre që thyhet?
A ja di dhimbjen një zemre të thyer?
E nuk po flas vetëm për atë djalin që nuk ktheu kurrë përgjigje, apo për atë vajzën që nuk erdhi kurrë në takim.
Po flas edhe për atë shokun e shoqen që nuk mundën kurrë të të thonë të vërtetën, se kishin frikë, se nuk besuan, për njëmijë e një arsye që nuk kanë më rëndësi. Sepse e vetmja gjë që mban mend është zhgënjimi dhe zemra e thyer.
Po flas për atë historinë që nuk shkoi siç e kishe ëndërruar.
Po flas për çdo herë që të është dashur të marrësh frymë thellë për të kujtuar që akoma të rreh kraharori.
Ka shumë këngë që tregojnë çdo të thotë të flesh me një zemër të thyer, si është forma e një zemre të thyer.
Është kënduar e shkruar shumë, ama gjithsesi nuk mund të ketë asnjë përgjithësim.
Askush nuk të përgatit për atë ndjesi, se nuk munden edhe sikur të duan. Është kaq personale, kaq unike tek secili sa nuk mund të ta shpjegojë dikush, nuk mund të të tregojë askush se çfarë të presësh. Nuk ta tregojnë dot se çfarë do të thotë të të duhet të vazhdosh të qeshësh e të vazhdosh ritmin normal të ditës. Kështu që do mpihesh, në mënyrë që të mos ndjesh më as dhimbje.
Nuk ka një logjikë zemra e thyer. Nuk ka shkencë. Nuk ka fjalë. Ajo thjesht ndodh.
Thonë që ka edhe një sindromë mjekësore, një sëmundje zemre, që quhet pikërisht Sindroma e Zemrës së Thyer.
Sepse nuk është veç ndjesi, është edhe fizike.
Rëndon hapësira bosh mu në mes të kraharorit!
Ja fiks kështu është. Të rëndon e dhemb vakumi.
Por, unë nuk di dhe mbi të gjitha nuk DUA të mpihem. Kam zgjedhur gjithmonë ta ndjej gjithçka deri në fund, edhe dhimbjen, por mbi të gjitha dashurinë. Për çdo emocion pozitiv, për çdo herë që më qeshi shpirti, i detyrohem dashurisë.
Ashtu siç ti m’a thyeve zemrën mua, ty ta ka thyer dikush, e unë ja kam thyer dikujt tjetër. Askush nga ne nuk është shenjtor. Por, do të kisha dashur në fakt të kishim gjetur guximin për tu parë në sy përpara se të iknim.
Nuk është e vështirë të ikësh, përkundrazi. Guxim do të rrish. Dhe ti tashmë e di sa shumë e dua unë guximin.
Gjeje guximin ti dalësh vetes para, për të gjitha emocionet e fshehura, për të gjitha ëndrrat e harruara, për të gjitha rreziqet që nuk more në emër të frikës që ke në palcë.
Unë do shërohem dhe do ngrihem sërish në këmbë, se ja kam besuar me kohë zemrën time vet dashurisë, dhe do të di ta rigjej të bukurën dhe të mirën dhe ditëve me shi.
Por, ty do të të duhet të mësosh ti besosh shpirtit dhe ëndrrave. Ty do të të duhet të mesosh të mos ju fshihesh emocioneve, se përveç rrezikut të dhimbjes është mundësia e madhe e lumturisë, mos e kij kaq frikë dhe atë.
Ja, kështu dashuroj unë. Duke qëndruar dhe në dhimbje. Sepse nuk dua ti humbas vetes asnjë ndjesi. Unë di të të shoh në sy edhe kur ti nuk je në gjendje të shohësh veten.
Thërrit zemrën, i dashur, se pa të, veç vegjeton, e ti ke ardhur për të jetuar. Unë gjithsesi besoj shumë dhe akoma tek ty. Një njeri që arriti të më zgjojë mua dashurinë në sy, është shumë më shumë se një grumbull frikërash bërë bashkë.
Unë jetoj ballë për ballë. Unë iki, duke të të thënë Mirupafshim, unë iki duke të të parë në sy, dhe unë iki duke të të thënë:
Po, të dua.
Po, ma ke thyer zemrën deri në dhimbje.
Po, shpirtin e kam akoma peng tek ty.
Jo, nuk kam asgjë për të të falur ty, se kam akoma shumë për ti falur vetes.
Shihemi në anën tjetër. Kur ti të kesh guxuar e unë të kem falur.
…sepse të dy e dimë, do shihemi!
© AZ