
Të paktën, me ty, jo !
Ne jemi shumë të ndryshëm, gjithnjë kemi qënë.
Ti zgjedh gjithnjë flladin ndërkohë që unë rend pas stuhisë. Ti kur zgjohesh mund të këndosh e kërcesh, mua më kërkon shumë mund veç të tund kokën deri në momentin që pi kafen. Ty të pëlqen qetësia dhe ajri i pastër e unë nuk kam të ngopur në kaos e rrëmujë.
E mendojmë jetën ndryshe. E jetojmë botën ndryshe. Ti je i shiut e unë e diellit, ti i tokës e unë e qiellit, ti i makinave e unë e motorrit.
E shijoj shpejtësinë dhe vrapin njëlloj si ti qetësinë e shëtitjen. I dua fjalët po aq sa ti numrat.
Nuk bëj llogari për asgjë. Do jap gjithmonë nga vetja, pa e menduar asnjë sekond nëse do marr diçka mbrapsht. Do tentosh shpesh të më tregosh ndryshe, e me kënaqësi do të të dëgjoj, edhe pse me shumë gjasa njëlloj do vazhdoj. Por, unë kështu jam gatuar. Veç se, me ty, unë nuk kam nevojë të shpjegohem apo jo ?!
Sepse bota do e thotë shpesh: “Ajo është e çmendur përfundimisht !” Por në ato momente, kur do më duhet ti kthej kurrizin, dua të drejtohem tek sytë e tu, e atje të lexoj që me ty nuk kam nevojë të shpjegoj pse.
Të paktën ti ma lehtëso pak luftën që bëj çdo ditë me veten. Të paktën ti ji në krahun tim, sidomos dhe mbi të gjitha kur as unë nuk di nëse jam në krahun tim.
Mos më detyro të mbroj veten para teje. Sepse ndoshta nuk do di, ose do di aq mirë sa do të të le shumë jashtë.
Bëje ti për mua. Mi mbro zgjedhjet që e shikon që mi bën shpirti, ashtu siç më tregon çdo ditë pse të kam zgjedhur ty.
Ashtu, me përqafime, me shikim, me shtrëngim duarsh, me të ndenjurit aty kur më së paku mundesh, me të gëlltiturin sa herë kaloj masën.
Unë di të kërkoj falje kur e teproj. Unë di të të qëndroj përballë edhe kur zemrën ma ke bërë copash, e ashtu me zë dridhur të të them të gjjtha arsyet pse të kam zgjedhur.
Ndoshta nuk do arrijmë kurrë të ecim në të njëjtin ritëm, pa ngadalësuar njëri, ose pa shpejtuar pak tjetri.
Ama, Të kam zgjedhur ty e uroj të më kujtosh të zgjedh gjithnjë veten, kur timoni më rrëshket nga duart e realiteti mundohet të ma zbehë magjinë.
Do të ti festoj të gjjtha pasiguritë e me një gotë verë do të të tregoj të gjitha gjërat që më tmerrojnë, veç dua të jemi gjithnjë në skuadrën e njëri-tjetrit.
Uroj të kujtojmë gjithnjë se dashuria shtrihet në atë pjesë që nuk njeh dimensione kohe apo hapësire, shtrihet në shpirt.
Në atë shpirt që ja njoh gjuhën e që me mua nuk ka nevojë për shpjegime.
Në atë shpirt që ja njeh tempin e që me ty, nuk ka nevojë për avokat mbrojtës !
© AZ