
Të madhes në numra, nga e madhja në shpirt.
Hej,
Ooooouuuu.
Nuk më dëgjon e ?
Kam ditë, madje madje, kam kohë që po mundohem të të thërras. Nëse s’do të më flasësh mos e bëj, por të paktën më dëgjo. Në fakt do doja edhe të më flisje, të më tregoje. Si është të rritesh ? Unë kisha kaq shumë dëshirë që të ndodhte sa më shpejt.
A të përkëdhelin më shumë ?
Të përqafojnë po aq shumë ?
Luajnë me kaçurrelat gati ngjyrë ari ?
Të mbajnë afër kur trembesh ?
Vazhdojnë ti gjuajnë gjërave që të vrasin ?
Do doja vërtet të dija nëse duke u bërë më e madhe, bëhen më të mëdha të gjitha, edhe përkëdheljet, edhe dashuria, edhe mbrojtja.
Por unë kam frikë që nuk është kështu. Se ti nuk qesh më me shpirt. Mban mend kur e qeshura ishte me zë të lartë, sa gjith’ dëgjonim ishte: Ule zërin. Ti më duket se i dëgjove. E ule zërin…
Tanimë as nuk qan vërtet. Domethënë që të nxjerrësh zë, të dëgjohet në të gjithë botën që ty po të dhemb diçka. Të ulerasësh, edhe pse do të të thonë: “Mos kështu. Nuk ka lezet !” Ndoshta, vërtet, nuk shkon kështu por unë nuk do e doja në asnjë mënyrë tjetër. Ndërkohë që ty, të madhes të mësuan të mos bërtasësh se ‘nuk ka lezet’.
Të shoh të kërrusur por nuk mendoj që të dhemb barku. Ashtu si dikur, që me pak çaj mali dhe dy të përkëdhelura të mamit, ngriheshe nga krevati.
Ty, veç shpirti të është bërë pikëpyetje, ti vazhdon drejt në këmbë. Ti tashmë je e strukur, je strukur në thellësi të qindra pikëpyetjeve që të janë ngritur, e akoma më shumë pikave të vendosura ku s’i prisje e nuk i doje.
E di pse vendosa të të shkruaj ? Të të kujtoj kush je. Ti je ende unë, edhe pse numrat të kanë ndryshuar. Ty vazhdon të të pëlqejë të vizatosh me shumë ngjyra, e të lexosh libra me histori të bukur. Ty vazhdon të të pëlqejë të vendosësh kokën në prehrin e njerëzve që do fort në ditët ku nuk të dhemb barku, por zemra. Ty vazhdon të të ushqejë dashuria, e dielli e era. Ty ende të shërojnë fjalët e njerëzit. Ti nuk je vetëm. Kur tu krijua ideja që ishe ? Kur vendose të qëndrosh në cep, duke parë nga larg atë që në fakt është vendi yt ?
Të shkruajta për t’ju përgjigjur pyetjes që shpesh i bën vetes. Vetja jote më e vogël është shumë krenare për ty. Në gjithçka të ka ndodhur, e madhe ose e vogël, pavarësisht sa të ka shenjuar, pavarësisht nëse te ka thyer a lënduar, je ngritur gjithmonë në këmbë dhe ke ecur.
Të shkruajta për të të thënë që të kam falur, për të gjitha herët që më ke bërë të ndihem e pakuptuar, edhe nga ty. Jam këtu pavarësisht të gjitha herëve që me rrahje ta tregova rrugën, e me mendje ma injorove. Erdha, të të kujtoj sa shumë e ke dashur guximin, se si frikën e përdorje gjithmonë si nxitëse dhe asnjëherë frenuese.
Nëse e ke harruar e ashtu në përditshmëri vetes s’ja ke uruar: Ja ke dalë mbanë më së miri deri tani! Ka ardhur koha të hedhësh muret. Ngri sërish kokën nga qielli. Universi po jep shfaqje për ty. Hidh dëshira në yje e fotografo hënën. Hape zemrën. Bërtit. Këndo. Kërce. Qesh. Ndjeji të gjitha në maksimum. Nuk jetohet duke u ruajtur.
Ka ardhur koha të jesh e lumtur!
Mos më harro. Jam ende tek ty.
Me mall dhe shpirt të madh,
Vetja jote e vogël në numra.
© AZ