
Të fala.
Netët e shkurtit janë të gjata si për ironi të muajit. Mora gotën e rumit që qëndronte pranë çokollatave e bajamave, e dola në ballkon për të marrë ajër. Ngrita kokën në qiell, e yjet ndrisnin si të ish qershor.
Mora frymë thellë, e të fala.
Të fala.
Sepse isha harruar në dhimbje e kisha lënë shpirtin pa imazh qielli e yjesh. Drita ish’ aty, e unë kisha zënë cepin nga ku nuk dukej qielli.
Të fala.
Për asnjë arsye tjetër veçse asaj që më kërkojnë sytë në çdo shikim në pasqyrë.
Dikush, dikur ka thënë: ” Rruga për në ferr është shtruar me qëllime të mira.” Pra, unë e di, që ti kurrë nuk ke dashur të më bësh dëm, por të të mbajturit ende inat ty, do të ishte ti bëja dëm vetes me vetëdije.
Të fala.
Sepse sa herë po nxirrja në inat e zemërim çdo dhimbje më ndërtoje me fjalët e veprimet e tua, më dukej sikur lëkura më çahej për të nxjerrë gjemba; e për pasojë, si gjithmonë, lëndohesha veç unë, e kërkoja falje pse më dhembi, kur më vrave.
Dhimbjes time, njerëzit po i tremben. E hera herës edhe unë.
Askush dhimbjen time nuk e njeh. Edhe unë për herë të parë po e le të bëjë zë, të bërtasë sa të dëgjohet.
“..me guxu me vujt si ti.” – më tha dikush. Mu desh kohë, mu deshën disa dhimbje për të kuptuar që, edhe dhimbja dashka guxim; guxim për tu shprehur, guxim për tu ndjerë, guxim për ta lënë të shkojë.
Të fala.
Sepse po kapesha pas dhimbjes për të mbajtur ende gjallë një njeri, që në fakt nuk qe kurrë.
Të fala.
Jo për ty, për mua.
Sepse, më duhet të mësoj t’ja fal vetes, që njeriun e vogël brenda meje e bëra të ndihet të pakuptuar, edhe nga unë; e lashë vetëm, edhe unë.
Ti ende në fakt nuk më ke kërkuar falje. Nuk e di a do e bësh ndonjëherë, dhe të them të vërtetën nuk kam më nevojë ta bësh.
Të fala.
Ngrita gotën e bëra gëzuar me qiellin.
Mora telefonin dhe ftova disa miq. Dhimbja ime nuk kish më nevojë për vetmi. Dhimbja ime kishte zënë vend në errësirën mes yjeve. Errësira ime e bindur dhe e paketuar tashmë, kishte bërë vend për dritën.
Të fala,
dhe ndeza dritën.
© AZ
11-02-2025