
Sonte dashuria nuk vjen.
Sonte dashuria nuk vjen.
Me siguri diku ka mbetur.
Ndoshta shiu nuk e ka lënë të lëvizë. Mund të ketë qënë pa çadër. Por, nuk humbet jeta për një çadër, apo jo?!
Apo mos ndoshta bën tepër ftohtë? Po një pallto për ta hedhur krahëve mund ta kish’ gjetur nëse do donte, apo jo?!
Gjethet kanë rënë pothuajse të gjitha. Në rrugë janë rralluar kalimtarët pas perëndimi. Dëgjohen hapa tek-tuk, e unë që mezi po e gjej sonte, rrugën për në shtëpi.
Ti nuk do të jesh aty. Por, aty do të jetë kolltuku që ti zgjidhje gjithmonë të uleshe, kur mes nervave me mua, nuk doje të rrije pranë meje në divan.
Ty nuk do të të gjej, ama aty do i kem të rreshtuara fotografitë që nëse nuk të kanë ty, i kam bërë duke menduar për ty.
Që kur nuk të kam më, edhe në shtëpi nuk më shkohet. Ngjan ndoshta e dëshpëruar, por është thjesht fakti që unë e kam njohur tashmë lumturinë. Unë tashmë e di shumë mirë vrapin për në shtëpi sepse ti po bëje darkën. Tashmë e njoh se çfarë do të thotë, të shkëmbejmë shikime, e prekje duarsh në një tavolinë plot me njerëz. Tashmë unë ja njoh shijen, edhe e di çfarë dua.
Teksa kam ardhur e ikur qindra herë tek ty me mendime e akoma më shumë, ndjenja, gjej veten duke hapur derën e shtëpisë, që më duket edhe më e ftohtë se rruga nga e cila po vij.
Ka një gjë tek ky dimri që të bën të harrosh gabime. Duket sikur ti fshin të gjitha, e të le veç boshllëkun e një mungese që rëndon e që dhemb.
Mua nuk më pëlqen të vuaj. Mundohem t’ja ul vetes në maksimum dhimbjet. Ndonjëherë duke lexuar, akoma më shpesh duke shkruar, e çdo ditë duke përqafuar.
Ndez oxhakun. Marr shishen e verës, dhe dy gota.
Sepse vërtet, sonte, dashuria nuk vjen, por, unë do të shkoj tek ajo.
© AZ
14-11-2019