
Shpirtërisht, vetes!
Më datë dy, të verës së parë, të motit njëmijë e nëntë qind e nëntëdhjetë e dy, dy orë e gjashtë minuta pas mesnate, do të vinte në jetë një vajzë me flokë të zeza e sy kuriozë, që me pak fat kurioziteti për botën e jetën, nuk do i shuhej kurrë.
E quajtën Anisa, dhe mbiemrin e kish tashmë gati, Zaçe.
Një vajzë që në mëngjesin e datës një, kur e ëma kish qënë tek gjinekologia, ajo i kish thënë, rri e qetë, se dhe dy javë nuk vjen. Hëh. Ku e dinte gjinekologia që ajo kish planet e saj, dhe jo më shumë se 12 orë pas, do i trokiste mamit tek barku, për ti thënë nisu, se ishte nisur për të ardhur.
Kjo vajzë sigurisht që jam unë, prandaj kam informacion kaq të detajuar. Pra, thënë në gjuhë 2018,dhe jo 1912, në 02.06.1992, në 02:06 am, nxora tingullin e parë në këtë botë. Nuk mbaj mend edhe aq qartë, po kam bindjen që ndonjë ulerimë do ketë qënë. Sot, 26 vjet më vonë, unë kam numëruar ditët që të vinte kjo ditë. Më dukej aq mistike ky bashkimi i dyshit dhe gjashtës në moshën time, sa e thoja gjithë kohës. Bindshëm jua them, u bëra e bezdisshme. Megjithatë universi ka plane të tjera nga të miat. Me vendosjen me kokën time se kur të lindja, më la mjaftueshëm në dorë.
Sigurisht, si një human naiv, edhe unë kisha planet e mia për këtë ditëlindje, si nxjerrja e librit tim të parë, përshembull. E mendova aq shumë, sa vajta edhe të flisja me shtëpinë botuese, e do kishte 26 shkrime e, që ta shenjoja tamam bashkimin mistik të dyshit dhe gjashtës, por ja që, përsëris, kishte të tjera plane universi.
Unë i dua ëndrrat shumë, akoma më shumë ato që di ti kthej në plane, gjithsesi mund të themi me gojën plot që unë jam njeri që fluturoj. Nuk është se më ka dalë dhe aq keq, jo, se për shembull, tani po shkruaj nga dhoma ime e bibliotekës, një ëndërr e vjetër, dhe e madhe, që u bë realitet pikërisht vitin tim të 26 të jetës.
Si njeri ëndërrimtar, dhe i fjalës, përbën çudi sa jam lidhur me numrat. Dikur i “urreja”, por nisën të më përcaktonin aq shumë një periudhë, sa nisa ti bëj miq. Nuk lufton dot gjatë ndaj saktësisë së tyre, kështu që dhe unë u dorëzova. Kështu që nisa ti përdor, të numëroj më shumë, të mbledh e të shumëzoj, e shumë rrallë të zbres e të pjestoj…
Kështu siç i kam numëruar vetes herë pas here këtë vit të 26-të, se ça kisha bërë e ça prisja të bëja, pasi në 02.06.2018, në 02:06am, të bëhem plot 26 vjeç.
Këtë vit si rrallëherë, hodha armët, dhe pranova “disfatën”, është ai momenti që ti ju jep njerëzve të tu mundësinë të të ngrenë në këmbë sërish.
Në 26 vjet kam mësuar mjaft, ashtu siç di që nuk kam mësuar asgjë nga ça më pret. Por, kam mësuar shumë për dashurinë, dhe se si vjen me të gjitha ngjyrat, me të gjitha valët. Se si ajo që ti mendon shumë për dikë është pak, se si ajo që për ty është e rëndësishme, për dikë është kalimtare.
Një tjetër mësim i vyer i këtyre 26 viteve: Do të të duhen njerëz mbi të gjitha.
Në ditëlindje është e pamundur të mos bësh bilance (prapë me numra unë…), kështu që nisa ti kujtoja të gjithë ata që kisha pasur në momente te këqija e të mira, ata që vazhdoja i kisha dhe ata që diku rrugës na ishin ndarë drejtimet.
Ashtu në udhëtimin e kujtimeve, ndjeva kraharorin plot.
Plot Mirënjohje.
Për këdo që investoi kohë në ditën time, në rrëmujën a dhimbjen a lodhjen time. Për këdo që qëndroi aty, në ditët që unë isha shkëputur krejt nga vetja.
Rrëshkasim të gjithë herë pas here. Bëhemi të padurueshëm për veten, e imagjino për të tjerët pastaj. Por, megjithatë, mes gjithë rrëmujës dhe kaosit që ngremë vet, mes gjithë pasqyrave që shihemi dhe nuk gjejmë absolutisht asgjë nga vetja, janë disa njerëz që qëndrojnë. Janë aty. Herë duke na rrahur shpatullat, e herë duke na përplasur si shuplaka fytyrës të vërtetën që i jemi arratis.
Të duhen njerëzit në çdo kohë. Pa ta asgjë nuk mund të bësh. Duhen njerëz që të të rrinë mbi kokë kur ju thua të largohen. Duhen njerëzit për të dëgjuar qurravitjet në ca ditë, e për të të ngritur në këmbë në disa ditë të tjera. Duhen njerëz kur me qëllim do të harrosh realitetin. Duhen njerëzit se pa ta asgjë nuk mund të bëjmë.
Nuk kalohen dështimet vetëm.
Nuk shijojnë sukseset vetëm.
E kam një mirënjohje që më mbush shpirtin për këta njerëz që në momente të caktuara kanë dhënë gjithçka nga vetja, për të qënë për mua. Disa më kanë dhënë dorën për tu ngritur, e disa kanë qëndruar aty teksa mësoja të ngrihesha vet. Disa më kanë duartrokitur me krenari nga karrigia e spektatorit sukseset e mia, e disa kanë qënë në prapaskenë duke më ndihmuar të bëhem gati.
Të gjithë ata që vijnë me zemër në dorë e të vërtetë para nesh, të gjithë duhen.
E mbi të gjitha duhen ata që na kuptojnë. Ata që lënë mënjanë botën e tyre për ti krijuar komfort tonës. Ata që ti dëgjojnë ëndrrat, edhe ti bëjnë realitet kur ti nuk ja bën vetes. Ajo që unë e mendova si plan ndryshe të universit, në fakt ishte dhurata më e bukur e tij.
Kjo ditëlindje ishte po aq magjike sa në ëndrrat e mia, ishte plot qiell të ardhur në forma nga më të ndryshmet, plot lule e libra e verë, plot fjalë të ndjera nga njerëz të dashur. Mbi të gjitha, 26 ime ishte dhe 26 e AZ, ëndrra ime e bërë realitet e ardhur në dorën time gati, shumë herë më e bukur seç e kisha imagjinuar, pikërisht në minutën e gjashtë të orës dy pas mesnate, të datës dy.
E kam quajtur vazhdimisht veten ‘Njeri i njerëzve të mij.’ Jam. Nuk toleroj asgjë për ta, as tek ata vet.
Nuk më pëlqen aspak të ankohem, por ndodh që thyhem, dhe shtirem derisa rikthehem në shpejtësi maksimale. Aspak e shëndetshme, e di. Jam kritikja më e ashpër e vetes time, ndoshta prandaj nuk jam shumë e hapur ndaj kritikave të të tjerëve. Ama, di shumë mirë ta shëroj veten, kështu që edhe në rastet e rralla që e lë të ‘paloset’, di shumë mirë ta ngre në këmbë.
I kam vënë një titull, këtij shkrimi, ndjesisë që më dha ai libri (akoma dridhem kur e them dhe shkruaj) , këtij përvjetori, këtij viti; në egoizëm të plotë, ama besomëni, shumë të shëndetshëm: “Shpirtërisht, vetes!”
Kam kaq shumë ‘Faleminderit’ për këdo kam patur në jetë, sepse më kanë dhënë gjithmonë, me ose pa vetëdije. E unë kam mësuar herët në jetë ti dua njerëzit ashtu si janë, për atë që janë, e nëse nuk mund ti dua ashtu largohem. Ashtu siç nuk dua të më ndryshojnë, ashtu nuk i ndryshoj.
Jam me kraharorin plot mirënjohje e kurrizin me flatra, sepse ju kam, sepse i keni dhënë po aq jetë shpirtit tim të fjalëzuar, duke e lexuar, e prandaj po ja dedikoj vetes këtë fjalëzim të parë të AZ 26, se unë di shumë mirë të ngrihem në këmbë, por këtë ditëlindje më ngritën në qiell, dhe për të të bërë dhuratë qiellin e fluturimin, diçka mirë duhet ta kem bërë në jetë. E për këdo kam shkruar, në një formë ose tjetër, ndaj ky fjalëzim më përket mua.
U zgjata pak, por këtë herë, besoj fort që e meritoj.
Kështu që, shpirtërisht vetes, për gabimet, dështimet, rrëzimet, e gjithçka të bërë keq se të kanë mësuar kaq shumë, e mbi të gjitha të kanë treguar që pavarësisht, nuk arritën kurrë të eklipsojnë çdo gjë të bërë mirë.
© AZ