
Shpija n’shpin.
Kam ardh’ te shpia e prindve.
Her’ them kam ardh te nana, her’ te baba – varet kush m’pyet.
Rrallë her’ them “kam ardh te prindt”
Kisha kohë pa ardh. Kam dalë çikë prej kësaj shpie e po kthehem mam. Kam një çikë dy vjeç, e po pres një tjetër çikë. U mërzit nana kur ja thashë:
“Ah medet, a prapë çikë a?”- m’tha n’telefon.
Baba nga ana tjetër m’qeshi e m’tha:
“Mos e niej nanën, lum baba. Çikat janë për shpi e për luftë. Çika ta ndrit jetën e shpirtin. Ardht’ e bardhë.”
Tanaherët ka ditë si me ma ba qejfin.
Megjithatë, unë edhe nanës ja kuptoj dhimbtën e çikave.
Përvec meje, edhe vëllai jeton jashtë. Ai ka tre fëmijë, një çikë e dy djem. S’e kam pa hala djalin e dytë. S’kena mujt me u takue. E pres me ardhë edhe ai kët’ verë. M’ka thanë që djali i dytë ka marrë sytë prej meje, e unë sa herë shihem në pasqyrë, e rrej veten që po e qes ka pak mallin për nipin që ende s’i kam marrë erë.
Nana ka msue një “lojë” të re. Sa herë merr vesh se njani prej nesh, jena shtue me një fëmijë, shton një karrige. E ka një tavolinë të madhe tash, me njëmbëdhjetë karrige. N’shpi janë veç ata të dy.
Nuk hamë kurrë këtu, – më thotë, teksa shtrojmë tavolinën e bukës.
E kuptoj.
A hahet rrethue me tana ato karrige bosh?
Kthehem në kuzhinë me marr pjatat që m’tha. E shoh në cep të murit vrragën që kam lanë tuj lujt me vllain e me Rinën. Rina, shoqja ime e f’minisë, me kaçurrela të arta që l’shonte mbi sup, edhe ajo, tash jeton larg.
Në këtë vend kanë mbet’ veç pemët, e qielli e shpija e prindve t’mi.
M’duket sikur e kam bajt ket’ shpi n’shpin.
E kam tërhjek me vedin në çdo leksion, në çdo takim, e në çdo gja t’re që kam pa.
E kam tërhjek n’shpin ndërkohë që ndërtoja shpinë teme. Se kjo, nuk asht ma shpia jeme.
Kjo shpi’ asht e asaj çik’s që jam kanë e s’jam ma.
Asht shpija e tana andrrave që s’m’i mbajti valixhja kur dola prej këtu.
Shpija e mallit që nuk shuhet, pamvarsisht që mundohem me ardh shpesh.
Shpija që shton karrige bosh.
Gjithnji n’pritje për me ardh na, t’mbledhun ajo ndihet shpi e na ndihem plot.
© AZ
Një falenderim special për redaktimin nga Daniela Kortoçi;
pa të, ndoshta ky shkrim nuk do e shihte kurrë dritën!
10-06-2025
12:37am (Për t’ju treguar, që ende nuk di pse ky shkrim ka dalë në gegnisht, në mes të natës.)