
Shihemi në anën tjetër!
A e di pse u zhduka unë? Sepse kurrë nuk do mund të të them Mirupafshim ty. Nuk do mund asnjëherë të të shoh në sy e të të them Lamtumirë.
Unë uroj kaq shumë që ti të jesh i lumtur. Por, ti nuk je, apo jo?!
Ti thjesht mendove që nuk meritoje më shumë se aq, apo jo ? A të kanë thënë ndonjëherë që meriton shumë më shumë. Ti ke sy që flasin. E kjo për mua do të thotë që ke një shpirt që po ulëret.
Por ti zgjodhe ta zgjidhësh kaosin e mendjes tënde duke u mjaftuar. Unë nuk e bëj dot. U bë kohë tashmë që dua të shuaj zhurmën e 1001 mendimeve që më sillen, e nuk arrij.
“Po sikur të iki?!”
Më duhet të gjej një gjë që ul zërin e kësaj zhurmës. E duket sikur kjo pyetje ja arriti.
Kjo pyetje ndoshta është përgjigjja. Unë nuk kam nevojë thjesht të ndryshoj diçka, unë kam nevojë të gjej një jetë, ose thënë siç duhet unë kam nevojë të ndërtoj një jetë.
E di si është puna? Dashuria nuk mund të të shpëtojë. Duhet të shpëtojmë veten një herë e pastaj të kërkojmë dikë për të na shoqëruar në udhëtimin e jetës. I them taksisë të më presë, ndërkohë që nxitoj për në apartamentin e tij.
Trokas me të shpejtë. Ai hap derën i bezdisur, gati në nerva, e kur më sheh, mbetet.
– Erdha të të përqafoj e të të them Mirupafshim. Unë po iki. Nuk di sa do rri e nëse do kthehem nga atje ku po shkoj, por kam nevojë të shpëtoj veten. Mendova që mund ta bëje ti dhe dashuria për ty. Mendova që nëse unë të dashuroja fort, nuk do kishte shumë rëndësi sa më doje ti. Por, isha gabim. Gjithsesi, erdha se nuk mund të iki pa të thënë Faleminderit. Mbi të gjitha, kupto që ti meriton shumë më shumë se të mjaftohesh me ‘mirë’. Ti meriton lumturinë!
E përqafoj, dhe largohem. E lë tek pragu i derës gati të ngrirë. Nuk di nëse ka lëvizur ndonjë milimetër gjatë “fjalimit” tim. Sytë i kam ndjekur gjithë kohës ama, ashtu të hutuar…
Rrugës për në aeroport mundohem të fotografoj me mendje çdo copëz rrugë, e di që pa ikur sa do më mungojë. Por kam nevojë të gjej veten një herë. E humba diku mes rutinës e dhimbjes, e po shkoj ta kërkoj mes të panjohurës dhe aventurës. Po shkoj të ndërtoj diçka që e dua dhe më do. Sepse dashuria është balancë. Nuk mund të japësh dyqind e të marrësh dy, se ashtu do thyhesh një ditë, ose akoma më keq do mbetesh bosh.
Nuk di as vet ku po shkoj, por të paktën po lëviz nga vendi, isha mpirë keqazi.
Ky avion vjen për tek ty? Apo shkon për tek unë?
Ajo që di është që nuk mund të kesh asgjë të re nëse nuk ndryshon diçka. Ajo që di është që, ndryshimi është gjëja më e frikshme dhe më e bukur që na ka dhënë ky dimension, ndryshimi i pamjes, ndryshimi i punës, ndryshimi i vendit, ndryshimi i vetes! Ajo që di është që unë nuk u mjaftova me diçka që nuk ishte ‘lumturi’, unë nuk qëndrova në vend vetëm sepse ishte më lehtë ashtu. Ajo që di është që kjo rrugë nuk do të jetë aspak e thjeshtë, ashtu siç di që kur të zbres në anën tjetër do t’ja ketë vlejt totalisht çdo gjë.
Ndërkohë, do të shijoj pamjen. Natyra më siguron gjithmonë pamjet më të bukura kur jam mes reve.
Oh, ky qiell!
Shihemi në anën tjetër!
© AZ