
Rri me mua sonte.
Nesër nuk ekziston.
As për mua e as për ty.
Hajde ulu sërish. Rri me mua sonte.
Në këtë natë kur bota rëndon më shumë se zakonisht. Në këtë natë, që shpirtin nuk po e bind dot që peshat që mban, nuk ka pse ti tërheqë të gjitha me vete.
E vërteta është që nuk di asgjë për ty. Nuk e di nëse ke mbajtur ndonjëherë tela, a ke patur miq të ngushtë duke u rritur. Nuk di nëse ke qënë harrakati i klasës apo më popullori i shkollës. Nuk di nëse të kanë thyer zemrën.
Ama, e di vijëzimin e fytyrës tënde kur je duke menduar gjëra të bukura. E njoh dhe di rrudhjen e vetullave kur dikush thotë diçka që të bezdis. E di atë shtrëngimin e nofullave kur merr lajme të vështira. E di si e ruan shpirtin me mure që Troja do i kish zili.
Rri me mua sonte. Se në këtë natë ku çdo gjë më peshon deri në boshllëk kam nevojë për shijen tënde. Që të më kujtojë çfarë ma bën kraharorin të rrahë.
Kërkova gjithë helmet e botës për të mbytur shijen tënde. Atë të ëmblën në të thartë, si një verë e bardhë e ftohtë që shoqëron zakonisht pjatat e detit.
Si më gjete?
Si të gjeta?
Në cilën jetë ishim humbur për tu gjetur tek kjo?
E megjithatë, asnjëra prej këtyre nuk ka më rëndësi.
A e di?
Jeta do të kishte qënë shumë më e lehtë nëse nuk do të të kisha njohur, por nuk do të kishte qënë jeta ime.
Nuk jam unë ajo që mezi të pret. Ajo që ëndërron për ty dhe jetën me ty. Jam mjaftueshëm e rritur sa të mos besoj në ‘nesër’.
Nuk jam as ajo që pret ta shpëtosh. I kam bërë të gjitha luftërat vetë, e maksimumi dua të ndaj gotën e fitores, ose të armëpushimit me ty. Ti tashmë e di, unë nuk besoj as në humbje.
Rri me mua sonte.
Sepse, unë besoj veç në ‘tani’ e tani dua të jem me ty.
Rri me mua sonte e më mëso se çfarë ndodh, kur nesër, kthehet në sot, e ti je ende këtu.
© AZ