
Po të ruaj vendin.
Nuk e di si të kam imagjinuar para se të të njihja por di që të kam pritur. Di që kam dashur të të kem në jetë, e kam patur një vend gati për ty.
Kam patur energji të rezervuara për ty që para se të të njihja.
Ta kam ruajtur vendin në gjithë këto kohë duke besuar vërtet që ishte i yti.
Të ruaja vendin duke mos ditur as si ishe, thjesht e dija që në momentin që do të të njihja do e dija që ishte i yti, e do e ngrija xhaketën që kisha vënë për të ta mbajtur zënë ate vend. Se askush nuk guxonte të afrohej. Vendi ishte i yti.
Para se të të njihja ty besoja në përralla, por jo në realitet.
Para se të të njihja ty besoja në diell, por jo në aromën e shiut.
Para se të të njihja ty besoja në muzikë, por jo në tekste.
Se di sa i dukshëm është ndryshimi që kur të kam njohur ty, por di që kam një dritë Brenda meje që refuzon të fiket, edhe në më të lodhshmet ditë, dhe në me të ngarkuarat, ajo dritë qëndron ndezur. Me të njëjtën vendosmëri që të ruajta vendin para se të të njihja.
E di, ti nuk je në formën tënde më të mirë. As unë. Madje askush rreth nesh. Nuk është koha më e mirë për askënd. Janë shumë të lodhur të gjithë, besomë.
Por kemi një muskul në kraharor që vazhdon rreh, kokëfortësisht, si për të na thënë që është gati për çdo stuhi që kemi përballë.
Çdo gjë që bëjmë, dhe çdo gjë që ndjejmë dhe çdo gjë që mendojmë, është zgjedhje.
Unë kam zgjedhur të dëgjoj kokëfortësinë e atyre rrahjeve, unë kam vendosur të besoj në atë dritën që refuzon të shuhet, pavarësisht gjithçkaje. Ama, besoj dhe në dritën tënde. Besoj, se ta kam njohur forcën e shpirtit që në herën e parë që të kam lexuar sytë, që në herën e parë që kam ndjerë shtrëngimin e perqafimit. Dua shumë ti japësh vetes gjithë forcën që më ke dhënë mua kur më është dashur.
Nuk je gati të më shtrëngosh dorën, e di. Ke nevojë për kohën tënde, e di.
Ama, dua të dish qe unë besoj tek ty, megjithëse ti nuk beson tek Vetja . Dua të dish që unë e besoj që në momentin më pak të menduar, do e kthesh universin tënd në drejtimin e realitetit që ke ëndërruar. Dua shumë ti japësh vetes gjithë forcën që më ke dhënë mua kur më është dashur.
Ta kam ruajtur vendin pa të njohur ende, si mendon që do heq dorë tani?!
©AZ