
…për të gjitha netët pa yje…
– Zemër zgjohu.
– Hmmm… Më ler. Çfarë ka ?
– Asgjë jo, thjesht qenka perëndim shumë i bukur.
– E mirë po hë, do jemi 10 ditë këtu, e shoh nesër.
– Në rregull. Po bëj një xhiro unë.
– Mirë.
Të hodha krahëve këmishën e bardhë që kishe veshur rrugës, kishte filluar të frynte pak.
U çova dhe u drejtova drejt bregut. Nuk i gjeja asnjë gabim këtij perëndimi. Po i ndryshonte ngjyra në sekonda, dhe ngjyrosi komplet horizontin që shtrihej para syve të mij. Më dukej sikur deti niste blu e përfundonte portokalli, gati-gati i kuq.
Ama ishte aq i qetë, kishte veç disa valë të lehta sa për tingull në sfond. Filluan të më vinin në mend, ashtu pa kuptuar, të gjitha momentet e mini-lumturisë si për këtë perëndim.
Mu kujtua hera e parë që buzëqeshe sapo më pe, dhe sytë të ndritën. Ti mund ta kuptosh lumturinë time të asaj dite, veç nëse kujton shikimin tim sa herë të shoh duke ardhur drejt meje.
Mu kujtua edhe ajo dita që isha me nerva dhe nuk e mbaj mend përse, por ne e dimë të dy që, mua nuk është se më duhet ndonjë arsye e madhe për tu bërë me nerva. Ama, mbaj mend se si dole në ballkon dhe më bërtite ‘Të dua’. Kam idenë u dëgjove dhe në lagjen ngjitur. Ti e di mirë si mu shkrinë të gjithë muret e zemrës në ato momente.
Mu kujtua dhe hera e parë që kuptova sa mezi prisja mesazhin tënd të radhës, dhe ti nuk më le të prisja gjatë. Në fakt nuk më ke lënë të pres asnjëherë, sa më duket pak e çuditshme kur e mendoj ndonjëherë.
Por, ja që kështu është. Teksa mendoja këtë të ndjeva si u ule pas meje dhe më fute të gjithën në perimetrin e krahëve të tu.
– U zgjove more?
– Po, po.
Mbështeta kokën në kraharorin tënd dhe e drejtova shikimin në qiell. Në atë qiell që aq shumë e doja, në atë qiell që kish dëgjuar kaq shumë për ty.
– Mbaroi… – të thashë me një hije trishtimi për perëndimin e diellit.
– Shiko pak atje! – më the duke drejtuar gishtin nga ylli i parë që shndrriti qiellin.
– Ylli jot i madh, ja la vendin njëmijë e një të tjerëve! – më the, e mbështete buzët e tua në ballin tim.
Pra, kjo duhet të jetë lumturia.
Kjo ndjesia që nuk di se çfarë të gëzon më shumë, nuk di se çfarë të mbush më shumë zemrën, nuk di se çfarë të qetëson më shumë shpirtin:
ai qiell tashmë mbushur plot me qindra mijëra copëza të shndritshme magjike;
ato krahë që rrethojnë qënien time si shtëpia më e sigurt në botë;
tingujt e rrahjeve të zemrës tënde, kaq afër times;
apo shija e asaj puthjes në ballë, që më duket sikur mi mbledh të gjitha shqetësimet aty e mi largon ashtu thjesht, aq thjeshtë sa vetë puthja.
Nuk di se çfarë ka parajsa aq shumë e reklamuar, por di bindshëm që ka zili ndaj këtij momentit tonë. Jam e sigurt që i mungon ndjesia e të ndjerit kaq e sigurt në krahët e dikujt.
Nuk është tek perëndimet e yjet që unë dua të shoh me ty, po të gjitha ditët me shi e uragan që jam kaq e gatshme t’i jetoj me ty.
Ndoshta lumturinë dhe të bukurën do mund të zgjidhnim për ta jetuar me këdo, ama unë të zgjedh ty për të gjitha perëndimet gri dhe qiejt me re.
Ty, që nuk reshte së më zgjedhuri mua në më të pasigurtat ditë, në më të vështirat momente.
Ty, që më shtrëngove dorën duke mos më lënë asnjëherë të dyshoja vendin që zija në kraharorin tënd.
Të zgjedh ty për të gjitha perëndimet në vazhdim, për të parë bashkë se gjërat e bukura nuk mbarojnë e veç transformohen.
E mbi të gjitha, të zgjedh ty në emër të të gjitha ditëve e netëve që kur shpirti më rëndonte, më bëre dritë me sy e zemër.
Të zgjedh ty, për të gjitha netët me qiell pa yje se ke ditur dhe mundur të mi sjellësh ato yje në zemër, veç me një përqafim.
© AZ