
Për ata që mbetën të vërtetë.
Sa e vështirë është të gjesh miq të vërtetë, apo jo?!
Kam patur fatin e mbi të gjitha kam investuar mjaftueshëm për të patur miq që i kam prej 23 vitesh tek ata që i kam prej 23 ditësh. Koha nuk ka qënë kurrë një faktor matës për mua. Më ndodh shpesh të takoj njerëz që kam vite pa i takuar dhe ato minuta që kalojmë bashkë të jenë mjaftueshëm për të qënë në listat e të ftuarve në dasëm.
Ka vetëm një gjë që bën diferencën tek unë. Vetëm një gjë që të bën të palëvizshëm nga lista ime; E VËRTETA. Ata që nuk ma kursyen kurrë. Ata që ma treguan gjithmonë, edhe kur nuk ishte e bukur, edhe kur ishte e dhimbshme. Edhe nëse i nxirrte frikacakë. Edhe nëse rrezikonte marrëdhënien. E vërteta për çfarë je dhe e vërteta për çfarë thua. Burrëria e të thënit çdo gjë siç është edhe kur të rrezikohet emri. Fjala e thënë është sport i vështirë dhe të paktë kanë mbetur që e praktikojnë. Ata pak, ata 2-3 kokrra janë njerëzit e mij. Ata që i dalin zot fjalëve e veprimeve, ata që nuk fshihen.
Askush nuk ka asnjë përgjegjësi të plotësojë imazhin që unë pres të kenë, ama kanë çdo përgjegjësi të plotësojnë atë që ata thonë që janë. Patjetër që unë ndërtoj pritshmëri tek njerëzit, sidomos tek miqtë. Miqësia ka qënë gjithnjë pika ime e dobët dhe e fortë. Nuk më ka lënduar kurrë asgjë sa zhgënjimi nga ata që kam quajtur njerëzit e mij, sa nga ata që nuk jua kisha kursyer as veten e as të vërtetën. Sepse, çfarë na vjen nga ata që zgjedhim vetë, nga ajo familja që krijojmë me ndërgjegjje e dëshirë, dhemb e lumturon më shumë, se na tregon cilësinë e asaj që kemi zgjedhur vetë.
Unë shkruaj shpesh për zhgënjime e dhimbje, por do zgjedh gjithnjë të shkruaj më tepër për ato përqafimet që të kujtojnë qindra versione të vetes që të mungon. Do zgjedh të flas më gjatë për ata që janë siguria që gjaku I derdhur në fushën e betejës, ndonjëherë është më lidhës dhe i fortë se ujërat e barkut.
Për ata që mbajtën krahun tim kur nuk ishin të sigurt për asgjë tek unë.
Për ata që më dhanë sigurinë që mund ti marr kurdo, për gjithçka.
Për ata që mbetën “të mitë” edhe pse kjo nuk i leverdiste aspak.
Për ata që jua kujtoj ditëlindjen pa aplikacione dhe jua pres urimin pa dhurata.
Për ata që mbetën të vërtetë në një kohë kur edhe emrat po shtrembërohen.
Për ata, shkoj në luftë.
© AZ