
‘Pay-it-forward’
“Çfarë do të ndodhte nëse do e jetoje jetën për herë të parë?” – e pyeta, teksa shikimin e mbaja ende në qiell, si për ta lënë të lirë nga çdo ndërhyrje.
“Do trajtoja veten si të përhershme e njerëzit si të përkohshëm.” – më tha gati në formë instiktive, sikur ishte duke e pritur prej kohe atë pyetje.
“Nëse do jetoja për herë të parë, do isha më e pakujdesshme, thënë ndryshe, do kisha më pak frikë. Frikë nga të gabuarit, e për pasojë të humburit njerëz. E gjitha tek unë sillet tek njerëzit, dhe ka filluar më bezdis kjo gjë. Shumë madje.” – vazhdoi gati me një frymë.
“Kam vlerësuar gjithnjë tek vetja të diturit vendin tim. E nuk kujtoj ndonjëherë të kem qënë gabim. E këtë do e doja gjithmonë. Edhe pse kërkon të qënit alert, është një frikë nga e cila nuk jam gati të heq dorë. Nuk jam gati të rrezikoj.” – uli kokën ndërsa e tha këtë, e sytë ju mbushën me lot.
“Nëse do jetoja nga e para do doja të isha sërish një njeri që mbron njeriun, një njeri që njeh qindra njerëz. Por, i mban larg në emocion.
Ama, do isha gjithmonë njeriu i njerëzve të mij. Do vazhdoja të isha ajo që është aty, ajo që merret në luftë. Por, do doja ti jepja vetes lirinë, të mos jetë veç e luftës, por të jetë dhe e qejfit. Ti lejojë njerëzit ta thërrasin dhe për qejf.” – mu duk kontradiktore çfarë po thoshte, por ndjeva që kisha bërë pyetjen e duhur, e thjesht duhet ta lija të nxirrte me fjalë çfarë i rëndonte në sy.
“Nëse do jetoja për herë të parë, do merrja pak më shumë kohë për dhimbjen time, e më pas të punoja për dhimbjen e të tjerëve.
Nëse do jetoja për herë të parë, do vendosja veten të parën, e do zgjidhja pranë vetes njerëz që më kanë prioritet dhe e tregojnë këtë në çdo formë. Sepse jam lodhur duke qënë e kuptueshme me të gjithë, përveç vetes.”
Me fjalinë e fundit kuptova që ndoshta ai kishte qënë momenti që gjithë ç’isha unë sot kishte filluar. Momenti që kishte/kishim kuptuar se përpara se të kërkosh cilin vend ke tek të tjerët, duhet ti krijosh vetes një fron të palëvizshëm.
Nuk dija si të isha mbështetje për dikë që është duke parë me vëmendje të shkuarën, dhe po sheh veten të lënë tek cepi; sepse të gjithë kanë marrë ç’kanë dashur e ajo ka qëndruar pas, e zbrazur.
U çova në heshtje, i afrova gotën e ujit dhe e putha tek koka. Sa doja ti tregoja që në të ardhmen e gjitha kjo, do kish mbaruar e do ngjante thjesht si kujtim. Doja me një lëvizje t’ja pastroja dhimbjet e ti tregoja që ja dalim, pa e lëvizur thelbin, pa e ndryshuar themelin. Por, e lashë të ndjente. Pa e çuar ajo deri në fund, ajo nuk do ishte bërë Unë.
***
Mund të shpenzosh çdo energji dhe grimcë të jetës tënde për të ndihmuar e plotësuar njerëzit.
Shumë mirë do bësh.
Gjasat janë që nuk do të ti njohin të gjitha.
Nuk ka problem.
Me shumë siguri do marrin çfarë ju ke dhënë e do thonë që ja dolën vetë.
Uroji suksese e më të mirat.
Njerëzit kanë nevojë të dijnë që gjërat e rëndësishme në këtë jetë, i kanë bërë vetë. Kanë nevojë tu ndihen mirënjohës veç vetes së tyre.
Lejoua.
Mos prit falenderime e mirënjohje. Merr përmirësimin e jetës së tyre si të vetmin falenderim që të duhet.
Në ka një gjë që s’do të të lërë asnjëherë në baltë është aftësia e të diturit vendin tënd. Nuk bëhesh dot i afërt me zor, nuk bëhesh dot familje me zor.
Po ashtu, dashuria nuk është transaksionale. Fakti që ti zgjedh të bësh gjëra për të tjerët, të ofrosh praninë tënde e ndihmën tënde pa kushte, nuk vlejnë si formë për ta marrë dashurinë mbrapsht pa diskutim, apo të të pranojnë e kuptojnë pa pyetje.
Megjithatë, asgjë në këtë jetë nuk shkon pa u vënë në balancë. Çfarë të bën mirë, do vijë tek ty.
Mos e prit mbrapsht çfarë bën, uro të vazhdojë përpara. Jeta jetohet veç me kokën para.
Çfarë të është dhënë ty, dhuroje përpara me besimin që do vazhdojë të jepet, me dëshirën që e mira të shpërndahet. Sepse e mira, dija, e bukura dhe lumturia kur ndahen, shumohen.
© AZ