
Pakti
Ju ndoshta nuk e dini, edhe nuk e kuptoni sa rëndësi keni për mua. Po po, ju. Ju që më lexoni. Ju, që sa herë unë postoj diçka merrni kohë nga koha juaj dhe ja dedikoni fjalës time. Ju që merrni gjithmonë kohën ta ndani fjalën time me të tjerët, pa e kuptuar ndoshta , sa shumë ma përqafoni zemrën sa herë e bëni.
Ky shkrim është për ju. Për ju dhe për një mikun tim që dashurinë, e mbi të gjitha respektin për fjalën time, ma tregoi në mënyrën më të bukur.
Të shkruash ngjan thjeshtë. Edhe mua, shpesh, thjeshtë më ka ngjarë, kur kam lexuar të të tjerëve. Por, nuk është. Shkrimet, që nga ato më të ftohtat e shkencoret e deri tek ato ku ulëret shpirti, kërkojnë mund. Jo vetëm duhet të kesh lexuar mjaftueshëm sa për të krijuar fjalor. Jo vetëm duhet të kesh shkruar mjaftueshëm sa për të krijuar e kuptuar stilin tënd. Por, mbi të gjitha, duhet të kesh guximin të shkruash. Shumë shpesh, shkrimi nuk është asgjë tjetër veç guximit. Guximit për të folur, guximit për të treguar, guximit për të pranuar ditët jo të mira.
Unë shpesh harroj të kujdesem për veten. Më ndodh, ashtu krejt pakuptuar, thjesht gjej veten, bosh, të ezauruar, të paaftë për tu mbushur mjaftueshëm me buzëqeshje. Derisa, janë të tjerët që kujdesen për mua. Derisa, një ditë, nga dikush që me mua kalon shumë pak kohë, për të mos thënë aspak, më vjen pyetja që më trondit shpirtin, në themel:
“Çfarë po bën me blogun?”
“Asgjë. U bë pak kohë që nuk po shkruaj…”
“Pse jo?!”
Heshtje. Mpirje. Nuk kam një përgjigje. Përballem ndoshta për herë të parë me faktin, që dikush ka ndjerë qoftë edhe për pak sekonda mungesën e fjalës time.
Ishte i njëjti njeri që më propozoi paktin. Një pakt ku unë do duhet ti dedikoj ditën pushim, fjalës sime. Një pakt, ku unë, do më duhet të rigjej fjalën time. Një pakt, për të më shpëtuar shpirtin.
Për njerëz si unë, me besim të palëkundur në univers, kur jo më larg se dje, mu tronditën sërish themelet, kur më erdhi pyetja:
“A po shkruan?”
“Nga pak..” – unë kokëulur.
“Pse?! Nuk e dua më këtë përgjigje herën tjetër. Herës tjetër dua librin.”
Ky shkrim është për ju. Për ju që më prisni. Për ju që më lexoni. Për ju që nuk keni hequr dorë nga fjala ime. Për ju, që duke kërkuar fjalën time, shpëtoni shpirtin tim.
FALEMINDERIT!
…dhe Më falni!
Jam ende këtu. Do jem edhe më shumë, për të përmbushur më të bukurin mision timin, Fjalën e shpirtit.
©AZ
17-11-2019