
…pa ne të dy.
E çuditshme si funksionon, apo jo?
Mësohesh me diçka dhe harron krejtësisht si ka qënë jeta pa të. Si me telefonin, internetin, makinën, apo dashurinë.
Ok, kjo e fundit nuk është thjesht diçka, kjo është diçka-ja më e madhe aty jashtë.
Më kujtohet si më the para se të nisesha në këtë udhëtim: “E si do ja bëj unë pa ty tani?!”
Qesha. Të përqafova në ato momente dhe nuk ja vura vërtet veshin asaj që kishe thënë. Por, tani që jam ulur në këtë dhomë hoteli, kam gjetur një film që më pëlqen dhe dua një gotë verë, nuk ta kërkoj dot ty. Se ti je larg.
Kështu që, marr telefonin, gjej emrin tënd, e teksa dëgjoj zilen që bie, më rreh zemra si ditën e parë që kam pritur të përgjigjesh në anën tjetër. Më në fund e hape.
“Hej, si po ja bën pa mua?!”
E them me një frymë këtë fjali, dhe as nuk mundohem të them diçka për të hapur telefonatën. As ‘Si je’, as ‘Si po kalon’. Dua thjesht të di sa keq po ndihesh që nuk më ke aty.
Tani ai që qesh je ti.
“Shëmtuar. Normal.”
Më përgjigjesh, duke më përkëdhelur sedrën, dhe unë kënaqem duke ngritur kokën lart, megjithëse ti nuk mund të më shohësh.
Pasi dëgjoj edhe që të ka marrë malli që tani, që ti mbyll punët shpejt e të mos vonohem, mbyll telefonin dhe çohem me përtaci ta marr vetë atë gotën e verës.
Po pra po, shumë mirë mund të jetoj unë, edhe pa ty, mund t’ja bëj pa ty. Nejse.
Vendos të bëj diçka që u bë pak kohë që e kam lënë pasdore. Marr stilolapsin, nxjerr bllokun ngjyrë-qiell dhe e hap në faqe të bardhë.
Kam shkruar për ty, në fillime sidomos, kur nise të më trazoje ujërat e jetës time të heshtur.
Jemi njohur në kohëra të çuditshme unë e ti. Unë erdha për të sfiduar në jetën tënde atë që koha nuk kish’ mundur të shëronte, e ti u mundove të kuptoje rrëmujën me një kraharor që i rrihte, që isha unë asokohe. Në kohëra të tilla çdo gjë është kalimtare përveç atyre gjërave speciale e të veçanta. Në fakt unë gjithmonë kam besuar që dashuria vjen kur çdo gjë është në kaos, sepse vetëm stuhia bën marinarë të zotë…
Fletët e bardha të bllokut tim më duken si një shtëpi me derë hapur, që presin fjalët e mia. Por sot është e kotë të nis të shkruaj, nuk e kam mendjen. Më ka mbetur në kokë zëri yt i qeshur, dhe e vetmja gjë që dua në këto momente është të vij dhe të të perqafoj, të ndjej lumin e emocioneve që më shkakton mua zhytja në krahët e tu. Mua nuk më tremb të të humb ty, ajo që më tremb është të humbim ‘ne’, atë që unë jam pas teje, atë që ne jemi bashkë. Atë që na sjell të fjalëzojmë: ‘Si do ja bëj unë pa ty?!’
E mbyll bllokun qetësisht, e buzëqeshur, dhe bie të fle. Pasi kam shkruar vetëm një fjali, me shkrim të madh, duke i shtrirë shkronjat në fletë, fiks si në shtëpi të tyre:
“Po ku ka më kuptim kjo botë, pa ne të dy?!”
© AZ