
Nuk kërkoj falje për kë jam!
Jam e komplikuar. E lodhshme. E pakuptueshme.
A e di që, me siguri, po të më pyesje ndoshta edhe 24orë më parë se kush jam, do të isha tjetër njeri.
Evoloj gjithë kohën. Në çdo moment gjej diçka që dua të ndryshoj, ose që më është mërzitur, ose që duhet “përditësuar”, ose akoma më shpesh gjëra që duhen përmirësuar.
Flas shumë. Më mërzisin bisedat e thjeshta. Më lodhin diskutimet e zakonta. Por, nuk do të rreshtja së foluri me orë për yjet, hënën, qiellin, apo jetën e mëparëshme.
Do mund të zbardhja netë duke pyetur mbi ndjesi, duke dëgjuar rrëfime zemre dhe shpirti.
E urrej gënjeshtrën. E dua të vërtetën. Edhe atë që dhemb. Mbi të gjitha atë që dhemb.
Më pëlqen të lexoj me zë të lartë poezitë që dua.
Nëse diçka nuk më pëlqen, mund të dallohet edhe nga hapësira. Nuk e fsheh, e as nuk mundohem.
Patjetër që kam edhe unë momentet e shtirjes. Për fat të keq janë të nevojshme, në këtë planet që nuk rresht së më surprizuari për keq. Por më lodhin shpejt.
Nëse po më lexon tani, me siguri je duke kërkuar fjalë që të kuptojnë e që u japin emër ndjesive të tua.
Ndoshta ke ndjerë të kthehesh në dikë që nuk je.
Ose akoma më keq, ke ndjerë nevojën të ndryshosh kush je për tu ndjerë e pranuar.
Në këtë muaj bilancesh siç është dhjetori, nëse të ka mbetur veç vetja, je fitimtare. Nëse sot gjendesh vetja, edhe pse me njëmijë e një pyetje e pasiguri, këtë vit ke fituar.
Çfarëdo mendon që ke humbur, më të rëndësishmen e ke ende.
Ata që duhet të jenë në jetën tënde, ata që meritojnë ti quash njerëzit e tu, do të dallojnë shumë kollaj. Janë ata që do të të besojnë, gjithmonë. Janë ata që do të të kërkojnë ti thërrasësh intuitës për t’ju përgjigjur çdo pyetjeje që do të të drejtojnë. Janë ata me të cilët nuk do ndjesh kurrë nevojën të kërkosh falje për kë je.
Unë mund të numëroj difektet e gabimet e mia, shumë më mirë se kushdo kritukues i imi. Nuk do të mund të jem kurrë gjithçka ti ke nevojë të jem. Ama, jam nga ato që jam gjithçka jam, gjithmonë e kurdo. Një derë e sigurt e hapur gjithnjë për ata që dua.
Ndonjëherë jam fëminore, shpesh edhe e padurueshme, por jam gjithnjë unë, me të gjitha ngjyrat e emocionet e mundshme mbledhura në një human të vetëm.
Nuk kërkoj të më pëlqejë askush, ashtu siç nuk kërkoj falje për kë jam.
Nuk kërkoj falje sepse jam unë, sepse jam kështu si jam. Nëse nuk më kupton, është krejt në rregull, shumë shumë pak humanë munden ta bëjnë. Por nuk do lejoj asnjëherë të më bësh të ndihem në faj për kë jam.
Nëse jam në krahun tënd, do të jem gjithnjë edhe në gafat e tua më të mëdha, duke të thënë gjithnjë të vërtetën, duke të treguar çdo sekret të universit që ke nevojë të dish, duke të mbrojtur nga çdo bezdi tokësore që mundem.
Nëse nuk më beson, iki, heshturazi, e pa bërë zhurmë. Nuk më pëlqejnë skenat. Çohem thjesht duke kujtuar që unë, deri këtu isha. Pranoj çdo gjë, e luaj me shumëçka, përveç se me besimin.
Jam gjithnjë aty, derisa nuk jam më. E nëse nuk jam më, nuk do të jem më asnjëherë.
Kaq thjeshtësisht e komplikuar, sa një human që në duar mban planete, e në shpirt ruan sekretet e qiellit.
©AZ
22/12/2019