
N’shpi t’shpirtit.
Të pashë tek ecje kokëlart siç je dalluar gjithmonë edhe në bulevardin e qytezës që për aq kohë kemi pushuar edhe bashkë.
Të pashë e më pe, dhe në ato 4 sekonda, unë mund të vizatoj se si shpirti im përqafoi tëndin, ndërkohë që unë e ti, mezi vijëzuam një buzëqeshje. Ndoshta duhej të kisha ndaluar. Ndoshta do ish’ më mirë po të kisha qëndruar e të të shikoja pak më gjatë në sy, e të të pyesja si je, dhe nëse gjërat po të shkojnë sipas planeve të bëra. Por nuk munda.
I ndjeva lotët se si vrapuan të më mblidheshin në grykë, kështu që ula syzet e diellit për të fshehur sytë që ju di gjuhën dhe shpejtova hapin. Nxitova për në dhomë dhe dola menjëherë në ballkon. Kisha nevojë për ajër.
Frynte erë e ngrohtë. Dielli ishte i nxehtë. Nga ballkoni, deti dukej sikur po lëshonte xixa.
Ora po shkon gati 8, dhe perëndimi duket sikur më në fund ka nisur.
Marr frymë disa herë thellë. Por, nuk më ndihmon. Vazhdoj të ndjej sikur nuk jam mbushur mjaftueshëm me frymë.
Troket dera. Shkoj e bezdisur ta hap.
Je ti. Ti ? Përse erdhe? Çfarë kërkon?
E ndërkohë në kokën time ngrihen pyetje njëra pas tjetrës, gati si fillimi i një lufte.
Nuk flas. Qëndroj heshtur, përballë teje, dhe ti gjithashtu.
Asnjë fjalë nuk dëgjohet, po mijëra të tilla shkëmbehen.
Ndërkohë që unë jam mpirë, ti më kap nga dora, më tërheq nga vetja, më mban fytyrën me duar dhe më puth.
Ja, tani jam plot frymë e jetë, edhe pse nuk jam në ajër të pastër, edhe pse nuk po mbushem thellë me frymë. E kur më në fund shkëputemi, arrij të nxjerr disa fjalë :
– Po ti këtu? Pse erdhe?
– A e di sa shumë të kam kërkuar unë ty mes fytyrave të panjohura?! A e di që pavarësisht kohës e ngjarjeve, gjithmonë nisja të të merrja ty për të të treguar dështimet, e mbi të gjitha arritjet?! A e di sa shumë u mundova të ikja prej teje, e në një farë mënyre gjithmonë afrohesha tek ty?
I thua të gjitha këto duke bërtitur gati. Do mund të vazhdoje edhe orë të tjera duke më treguar pse erdhe e të tjerë, e të tjerë.
Unë buzëqesh. Mbyll derën pas teje dhe të përqafoj:
– Më kishte marrë malli. Më ke munguar! – të pëshpëris.
Nuk ka më vend për shpjegime. Unë kam mushkëritë plot oksigjen, që nga momenti që më tërhoqe pranë vetes. Çfarë mund të ketë më shumë se kaq për të thënë?!
***
Çohem të bëj shëtitjen time të darkës ndërkohë që të lashë shtrirë, duke fjetur me një paqe që gati-gati po ta kisha zili.
Sa më i bukur po më duket deti sot. Nuk ka një perëndim të shëmtuar, po ky i sotmi është plot jetë. Ose jam unë plot jetë.
Unë kisha ardhur të arratisesha. Mendoja që kisha ardhur të arratisesha nga ty, por në fakt kisha ardhur të arratisesha nga jeta ‘pa ty’. Ne menduam që duke larguar njëri tjetrin po bënim zgjedhjen e saktë, se kështu duhej, se kështu ishte më e mira.
Por, ishim gabim. Sepse kur na gënjen mendja që për ca gjëra zemra e shpirti duhen lënë mënjanë, mjafton një shikim në një bulevard çfarëdo të një qyteze çfarëdo, dhe planetet rivendosen në radhë dhe gjithë universi bashkëpunon për ti çuar gjërat në vend.
Ja ku jemi tani.
Ti e di mirë sa e ‘fiksuar’ jam unë pas nocionit “shtëpi”, sa të shenjtë e kam, e sa rëndësi i jap. I kam dhënë trupit shtëpi, e ndonjëherë edhe zemra ka gjetur strehën e saj. Por, kur të ndjeva ty të më shtrëngoje pas krahëve, në atë stol buzë detit, ndërkohë që unë numëroja yjet e para, i gjeta emër atyre 222 ndjesive që vrapojnë të tregojnë veten kur sytë e mij ndeshin të tutë…
Ti më gjete sërish, sepse ne nuk u humbëm kurrë, në të vërtetë. Njeriu kthehet gjithmonë në shtëpi.
U ktheva menjëherë dhe pushova kokën në kraharorin tënd e ndjeja deri në qeliza shtrëngimin e përqafimit tonë.
Pas një rruge të gjatë, më në fund ishim atje ku përkisnim: N’shpi t’shpirtit!
© AZ