
…njeriu i të gjithëve.
“Më lër të të mësoj si të më ndihmosh!”
E tërhoqa nga dora dhe e ula përballë. Kishte ngrirë ndërkohë e qëndronte palëvizur. Kishte kaq kohë që e shihja duke u përpjekur me çdo fuqi të mbetur për të më ndihmuar e unë, humbur në egoizmin tim, kisha harruar ti tregoja sa ende shumë ja kisha nevojën, e sa pavarësisht gjithçkaje ndodhte me botën, unë gjithnjë do kisha vendin e paprekur për të. E kisha parë të heshtte në mpirje, dhe e kisha pranuar duke bërë sikur s’kisha kuptuar asgjë.
“Në gjithçka që ka ndryshuar tek unë, asgjë nuk ka lidhje me ty. Jam më e frikësuar sepse kam më shumë për të humbur. Ama, jam më e fortë, sepse kam më shumë arsye për të luftuar. Mos ma kij merakun! Unë gjithnjë ja dal. Ti e di këtë.”
E vështirë të jesh shoqe mirë, kur je duke kaluar mes qindra transformimeve të brendshme e akoma më shumë dhimbjeve. Në të gjitha përballjet që duhet të ketë njeriu në jetë, ajo me veten, mbetet më e rëndësishmja, e po ashtu më e frikshmja. Shpesh bëhemi egocentrikë teksa mundohemi të shërojmë veten, duke harruar të gjithë ata që me sytë nga ne mundohen të eksplorojnë edhe qiellin për të gjetur mënyra për të na ndihmuar.
Kam ende nevojë për ty. Gjithnjë do të kem.
Më fal që kam hedhur tek ty gjithçka, e pasi mi ke kthyer të sistemuara nuk të kam ndihmuar as të pastrosh.
Nuk është detyra jote të më shpëtosh mua, e megjithatë e ke kthyer në mision personal e nuk rresht së munduari. Je aty për mua, edhe kur nuk je aty për veten. Bën gjithçka për të gjithë, e s’pret asgjë mbrapsht.
Në ditë të vështira për ty je gjendur vetëm, pa ndjerë rehatin ti biesh telefonit të dikujt që do të të dëgjonte siç bën ti, që do të të ndihmonte, siç bën ti, që nuk do të të gjykonte, ashtu fiks si ty.
Ende nuk e di si e bën, i jep kujtdo vendin që i takon e prapë në një mënyrë ose tjetër arrin të ndihmosh këdo. Nuk e di pse shpesh gjendesh e paqartë për vendin që ke, por di që nuk duhet të jetë kështu.
Nuk ëahtë nevoja ti vësh flakën botës për të ndjerë ngrohtësinë e saj, buzëqeshja jote mjafton për këtë. Nuk është nevoja të shkosh mbi re për të prekur diellin, sytë e tu, mjaftojnë për këtë.
Ndihmo të tjerët duke ndihmuar veten të parën. Dhimbjet e tyre nuk janë të tuat. Gabimet e tyre nuk janë faji jot. Traumat e tyre nuk të përkasin ty.
Të kam thënë shpesh që ti nuk ke nevojë për askënd, por në fakt ke. Si të gjithë ne. Edhe njeriu i të gjithëve, ka nevojë për njerëzit e vet…mbi të gjitha njeriu i të gjithëve.
Si human, që ofron mbështetje përtej humanes, faleminderit.
Ne jemi mirë. Kthehu nga vetja tani.
©AZ
09/04/2020