
Nëse bota do mbaronte…
🎶 If the world was ending, you’d come over right? You’d come over and you’d stay the night. 🎶
Do të doja të kisha kurajon të të kërkoja të qëndroje. Do të doja të kisha kurajon të pranoja që më frikëson nata, të dielave ca më tepër se zakonisht. Do të doja të kisha kurajon të të kërkoja të qëndroje e të kujdeseshe pak më shumë për mua, sidomos tani.
Por, mbi të gjitha, do të doja mos të më duhej gjithë kjo kurajo për të të folur. Jo me ty, të paktën. Mbi të gjitha do të doja të më duhej më pak mund për tu bërë e kuptueshme për ty.
Do doja të rrije pak më gjatë.
Të këmbëngulje pak më shumë.
Të prisje më durueshëm, për përgjigjet e mia.
Ti e di mirë, unë kam dëshirë e nevojë të flas, por e ruaj shpirtin me mure që Troja do i kish’ zili. Ndaj, besoja që ti do rrije, e do prisje që unë të flisja e të ndjeja se si pesha e thyerjeve zbritej pak nga pak nga shpatullat, që nuk janë bërë për të mbajtur kaq rëndesë.
Mbrëmjet e të dielave janë bërë për të mbajtur mbi tavolinë të vërtetat. Ngroh pak qumësht, dhe bëj një kakao. Vendos një film nga ata që shihen kur jashtë bën ftohtë. Ndoshta, sot do dhembë më pak vetmia. Ndoshta sot, do jetë më pak e dhimbshme nata. Ndoshta…
🎶 Would you love me for the hell of it?All our fears would be irrelevant 🎶
Do të doja të kisha më pak frikë për veten, me veten. Unë kam qenë prej kohësh njeriu që vinin për një këshillë, për një fjalë. Edhe ai pozicion më ka ushqyer po aq herë sa më ka zbrazur.
Më është thyer zemra shumë herë. Në të shumtën e rasteve kush ma ka thyer ende sot nuk e di. Se mua fjala më thyen, ajo e thëna ashtu siç nuk duhet kur nuk duhet.
Po ashtu, shumë herë kam prekur qiellin se kam gjetur paqen në një prekje. Unë besoj në përqafime që shërojnë e fjalë që kurojnë. Nëse ti do kishe qëndruar, ndoshta sot do të të kisha pyetur për herët që të kam lënduar e nuk ma ke thënë. Për herët që më ke pritur e nuk kam ardhur. Për herët që ke bërtitur me heshtje, unë ndoshta nuk kam dëgjuar
.🎶 The sky’d be falling and I’d hold you tight, And there wouldn’t be a reason why, We would even have to say goodbye 🎶
E vërteta është që nuk ka netë ku vetmia dhemb më pak, ka thjesht netë, ku veten e duam më shumë. E vërteta është që botët mbarojnë, shpesh pa patur kohë për Mirupafshim, por jo kjo që njohim e prekim të gjithë, por ajo që fshehim thellë në kraharor. E vërteta është, që të dielave të vërtetat vihen mbi tavolinë, se nëse kanë mundësi zgjedhjeje, zgjedhin ti kalojnë të dielat mbrëmje me kë mbajnë afër në zemër, se të dielave mbrëmje, e ndjejmë më afër se kurrë, që botët mbarojnë, e shpesh pa lajmëruar.
© AZ
28/01/2024