
Në padurimin e pritjes…
Bie shi jashtë. Sa inat e kam. Koha ka nisur të ngrohet, gjithsesi ky shiu bezdis, se s’t le ta ndjesh siç duhet pranverën. Ky shiu të mbyll në shtëpi njëherë. S’të bëhet të dalësh.
Megjithëse nuk më ke thënë që do të vish unë po të pres. Nuk e di pse. Ka diçka brenda meje që refuzon të ndalojë pritjen. Ka diçka brenda meje që vazhdon të të presë, e një zot e di se kur do rreshte se prituri.
Kam diçka që më rëndon diku në mes të kraharorit. Nëse ndodhet fizikisht diku shpirti, ja mu aty duhet të jetë. Më rëndon deri në bezdisje, me kënaqësi do e lëvizja që aty. Por ja që S’kam ku e çoj. Thjesht një ditë e keqe në fakt. Prandaj ndoshta po të pres ty, të ma rregullosh ditën duke ardhur, duke ndaluar pritjen time që ti nuk ma kërkove kurrë. Të vish, sepse e di që unë të pres.
Jam në një gjendje kontradiktore. Jam në një padurim për të jetuar jetën siç e kam imagjinuar dhe dashur unë, e megjithatë qëndroj kokëfortësisht në pritjen me emrin tënd. Të kam pritur pa të njohur, e tani që e di ku je, refuzoj të mendoj që të paskam pritur kot. Ndoshta e kam se nuk më pëlqen të jem gabim, dhe këmbëngul të vazhdoj në pritje. Ndoshta ti mund të vish kur unë mos te jem duke të të pritur më, dhe kjo më duket aq e trishtë. Ka mjaft histori për këto pritjet, për këto ardhjet kur dikush ka hequr dorë nga të priturit dhe nuk më pëlqejnë, prandaj ndoshta po të pres.
Ok, mos hajde. Nuk do të të pres më as unë. Ti në rrugën tënde e unë në timen. Vetëm, edhe një përqafim të fundit. E pastaj ik, për të mos ardhur më, dhe unë nuk do të të pres më. Një të fundit përqafim.
Bie dera. Çohem me përtesë ta hap. Kush mund të lëvizë në këtë shi. Hap derën dhe shoh dy krahë të hapur që më presin në përqafim. Ky është ai i fundit? Këtë po mendoj. Prandaj jam mpirë e nuk gëzoj për këtë ardhjen tende te papritur në këtë pritjen time.
Ti më shtrëngon në përqafim dhe më shtyn brenda, dhe mbyll derën pas krahëve të tu. E pastaj me atë krahun mbi shpatullat e mia ecën me mua drejt kuzhinës. Ulesh në divan dhe fillon të më tregosh për ditën.
Por ti…ti erdhe. Ti erdhe kur unë po të prisja. Ky nuk ishte një përqafim i fundit. Ky ishte një përqafim i parë…
Buzëqesh.
Sa kot ankohem e llastohem ndonjëherë. S’ka asgjë të keqe të bjerë shi.
©AZ