
…mike e bëra vetë!
Unë dhe ti vijmë nga dy planete të ndryshëm. Shpesh e kam thënë që universi na ka bërë motra se përndryshe s’kishim për tu ‘puqur’ kurrë. E kjo, sigurisht, ka ndodhur se siç e dimë, universi më ka pikë të dobët. Nuk e njoh botën pa ty, e ndoshta prandaj e dua kaq shumë jetën.
Kemi qënë gjithmonë polet e kundërta, si nata me ditën, e bardha me të zezën e shumë e shumë epitete që përshkruajnë ndryshimin thelbësor mes nesh. Ti je bjonde, unë brune, ti bëje detyrat e matematikës vetëm me shikim, mua më duheshin vetëm pesë minuta për një hartim tre-faqësh, ti ke gjasa ke provuar çdo palestër të këtij qyteti, unë nuk di dallimin me stepit e pistës, ty të pëlqen shtëpia, unë nuk lodhem duke ndenjur rrugëve as në shi e furtunë, e të tjerë, e të tjerë, e të tjerë. Por, ajo që na bashkon është dhe do jetë gjithmonë më e fortë se ajo që na ndan.
Më kujtohet si tani të gjitha: “Hë rri mirë taniiiii.” ose “Shhhtttttt” ose “Ule zërin” ose përdorimi i asaj fjalëzës që ndez një neuron të veçantë tek unë, asaj “Mos”.
Nuk besoj se do bëhem ndonjëherë ashtu siç ti do më doje, sepse unë jam ajo e pabindura që nuk e kursej asnjëherë mendimin tim të fjalëzuar, e me gjithë përpjekjen tënde për të më edukuar “ndryshe” nuk mu fut gjë në kokë.
Pavarësisht “refuzimit” tim për tu bërë ashtu siç duhet, pavarësisht paaftësisë sime për të shuar shikimin tënd të mërzitur për shkak të mënyrës si e mendoj unë jetën, unë pa ty nuk do isha hiç kjo që jam.
Duke u “zënë” me ty se përtoja gjithmonë të ngrihesha të pija ujë dhe prisja që të të pihej ty, kam mësuar të shfrytëzoj të gjitha mundësitë që më vinin. Duke parë se si buzëqeshja jote një-milion-dollarëshe gjunjëzonte këdo, kam mësuar se sa shumë mund të arrijmë duke qënë pozitiv e të qeshur. Kur teksa rritesha e të gjithë më kërkonin të të ngjaja pak më shumë, dhe ti gjithmonë shtrembëroje fytyrën e mërzitur nga ajo fjali, se sipas teje unë nuk kisha nevojë të të ngjaja ty, se isha shumë mirë siç isha, unë do mësoja ta doja veten ashtu, pa u munduar ti ngjaja askërkujt.
Por, mësimin më të vyer e kam marrë duke të parë duke shkëlqyer, kur sa herë dëgjoja se si nxirrnin në pah aftësitë e tua, unë gëzoja. E mësova kështu, se sa bukur është të gëzosh për tjetrin, se si lumturia e dikujt tjetër mund të jetë burim i pakundërshtueshëm lumturie edhe për mua.
Si për shumë gjëra që nuk kemi zgjedhje në jetë, nuk kemi as për familjen. Unë motrën e gjeta në shtëpi kur linda, tek krevati ngjitur (divani domethënë). E gjeta dhuratë nga prindërit kur erdha në këtë jetë. Kam lexuar tek një libër vite më parë: “Motrën ma dhanë prindërit, mike e bëra vetë.” Ja, kështu dhe unë.
Kështu e fitova dhe ndërtova unë miqësinë me ty, vit pas viti, duke qënë bashkë në çdo shoqëri, duke festuar bashkë ditëlindjet e çdokujt, duke qënë mbi të gjitha shoqe, që ndajnë me njëra tjetrën çdo gjë dhe nuk kursejnë asgjë.
Duke të të bezdisur si ai fëmija që të tërheq nga këmba, duke të lodhur kokën, duke të të acaruar nervat më shumë se kushdo, e mbi të gjitha duke të të zbukuruar jetën. Se le të jemi koshiente, do kishe një jetë shumë më të mërzitshme dhe pa adrenalinë nëse s’do të të kisha ardhur unë në jetë!
…sepse për mua, e thamë, nuk e di jetën pa ty!
© AZ