
Më thanë që më kishe kërkuar…
Do të jetë një ditë e bukur, me diell e plot energji pozitive, dita që më së shumti do ma ndjesh mungesën. Një ditë ku pothuaj çdokush, edhe ti vet, do e shohësh botën shumë të bukur. Ama diçka do ndjesh mangët. Ajo ndjesia që diçka nuk e ke, e ke harruar diku, diçka e ke bërë gabim, diçka…
E megjithese do jetë kohë e bukur, e çdo gjë në vend të vet, do ndjehesh I humbur. Fiks si dikush që ka arritur në aeroport veç 1 minutë pas orarit përmbyllës. E jo se ka pasur trafik, po se nga mendjelehtësia, ka harxhuar kohë duke bërë fjalë me rojen e parkingut, apo me atë që shet paketa në fillim të rrugës. Se ndërsa avioni I tij bënte mbylljen e dyerve, ai kalonte minuta të shtrenjta në kotësi.
Të ngjan ndopak vetja kështu? Si dikush që ndërsa I nisej avioni, harroi ti jepte rëndësinë e duhur kohës dhe përfundoi duke vlerësuar më shumë diçka që nuk do e mbajë as mend 10 minuta më vonë?
Une dhe ti e dimë mirë, unë isha avioni në jetën tënde. Të prita. Të prita gjatë. Të prita sikur të ishe piloti, pa të cilin nuk do nisej dot. Ama, në kohë u kujtova që vërtet avioni pa pilot nuk niset, po piloti nuk do quhej kurrë I tillë, pa një avion për të drejtuar.
Kështu që unë ika, ndërkohë që ti diskutoje vrullshëm me rojen e parkingut a me atë shitësin e paketave.
Ja ku jemi tani.
Ja vumë shkelmin të gjithave… Pritjes, ndjenjave…
Sa mirë që megjithëse bota është e rrumbullakët ka mjaft cepa sa për të zënë nga një, unë e ti.
Që të qëndrojmë mjaftueshëm larg. Që të evitojmë çdo mundësi komunikimi. Që të shmangim çdo shans riperballje.
Nuk më pëlqen më vetja përballë teje. Nuk pata guximin të t’i perplas në fytyrë të gjitha, po ndoshta më mirë kështu. Ika përpara se të kisha shansin të t’i thoja, e te te jepja mundësinë të më ndalje.
Nuk më njeh ti mua, besomë.
Nuk di asgjë për mua ti!
Ti nuk e di që unë kam jetuar në vrap të gjitha ditët që kur e mbaj mend veten. Ti nuk e di se në kraharor fsheh tornado e çdo buzëqeshje moskokëçarëse, e kam arrit me luftë e thonj.
Më thanë që më ke kërkuar. Jo duke përmendur emrin tim, po ja kështu duke u sjellë si I humbur, duke jetuar I buzëqeshur, ashtu siç shpesh të thoja.
Më thanë që më ke kërkuar, duke kërkuar kështu me ngulm diellin e duke kërkuar me çdo kusht të bukurën dhe në më të këqijat ditë.
Më thanë që më ke kërkuar e ta ndjej dhimbjen edhe kaq larg.
Dhimbja ime nisi luftën mes nesh, e jotja ndoshta do vulosë paqen.
Më thanë që më ke kërkuar, dhe e shof që po të duhem, por këtë radhë do më gjesh veç po erdhe përballë, duke më thënë në sy:
“Më në fund të gjeta! Isha duke të të kërkuar.”
Deri atëherë, mos harro te buzëqeshësh, të shkon!
AZ