
Lëri ëndrrat zbuluar…~ Vajzës që dashuroi dashurinë.
Mua nuk më pëlqen të shkruaj trishtë apo për gjëra jo të bukura. Më pëlqen të shkruaj për dashurinë, por dua të jem dhe e drejtë. Kështu që sot më erdhi të flas e shkruaj për anën tjetër të medaljes.
Dua të shkruaj për historinë e vajzës që dashuroi një djalë, i cili nuk e deshi. Vajza që ju thye zemra shumë më shumë herë, se sa mund të numëronte. Kjo është historia e vajzës që si ajo kish shumë të tjera.
Dashuria është ndjenja më e çuditshme në spektrin e ndjenjave humane. Është e fuqishme e në të njëjtën kohë tmerrësisht e brishtë. Dashuria ndërton aq bukur, e mungesa e saj shkatërron dhimbshëm, e megjithatë ka mijëra besimtarë. Si kjo vajza. Ajo dashuronte dashurinë. Kjo vajza besonte në dashuri, siç disa njerëz besojnë Zotin a universin.
Këtë vajzën e kam njohur në një ditë të ngrohtë me qiell blu. E kam njohur para një gote verë, fllad qershori e vetmi adulti. Këtë vajzë e kam parë në qytet, jam shkëmbyer në shkollë, e kam ndeshur në autobus, e pse jo më ka dalë edhe në pasqyrë.
Kjo vajzë është ‘unë’ saç është njëqind e një vajza të tjera në këtë botë, që i besuan dashurisë.
Unë i besoj dashurisë, jo sepse e kam patur dashurinë, unë i besoj dashurisë, sepse dashuria më ka patur mua.
Nesër do i rikthehem historive që më frymëzojnë fjalën, e që më kalisin besimin, sepse unë e dua lumturinë dhe ushqehem prej saj, por sot, sot dua ti shkruaj vajzës që mban shënime fraza nga shkrimet e mia me fund të lumtur, me shpresën që një ditë ato fraza diku do i dërgojë, ose poshtë një foto do i shkruajë.
Dua ti them: ‘Do ndodhë!’ Për të gjitha herët që thua: “Sa histori e bukur. Do doja ta shihja dhe film.” Ai film një ditë do jetë i joti. Sot, dua ti them vajzës që loton me ndonjë shkrim timin, dhe i siguroj që një ditë do të jetë pikërisht historia e saj që do më frymëzojë, e që nëpërmjet fjalës time do bindë dikë tjetër të presë për përrallën e saj.
Ndërkohë, deri sa të vijë ajo ditë, hap sirtarin ku ke zhytur ëndrrat, pastroji nga pluhuri dhe leri zbuluar. FALE veten! Fale, që nuk diti të bënte më mirë se aq, që zgjodhi edhe njëherë tjetër të besojë që nëse thua te vërtetën, do marrësh mbrapsht veç të vërtetën. Fale veten, se nuk ka rëndësi sa herë do të të duhet të thyhesh, uro të mos ndryshosh kurrë, e ta hedhësh gjithmonë veten me dëshirë në fushë-betejën e dashurisë, atje ku armë janë puthjet e paqe janë përqafimet, atje ku të pushon shpirti.
Tërhiqe veten nga grija ku e ke mpirë, dhe merr frymë thellë. Do doja të të merrja mes krahëve e të të siguroja që kjo mungesa e gjithëfarëllojshme që po ndjen është kalimtare. Vetja do të të shpëtojë, sërish. Ëndrrat do të të shpëtojnë, sërish. E pasi të jesh ngritur do mbështetesh në supe njerëzish, e do gjesh paqe në krahëlidhje e hapësira që do të të kuptojnë shpirtin.
Gjeji ëndrrat që ke zhytur aty ku nuk mund ti shohësh.
Merri një nga një ëndrrat, dhe zbuloi, pastroi nga pluhuri i harresës dhe rreshtoi para syve të shpirtit.
Lëri ëndrrat zbuluar, që të arrijë shpirti të marrë frymë…
© AZ