
Le të qajmë !
Shiko, domethënë, lexo; unë them hajde qajmë me të madhe. Bëjmë një event me leje dhe marketing të Bashkisë, dhe qajmë në sheshin Skënderbej.
Le të qajmë për të gjitha padrejtësitë që na bëhen dhe të gjitha fatkeqësitë që jetojmë. Ne, të shkretët e të pafatët.
Le të qajmë për atë zyshën që megjithëse me më shumë shkollim seç kemi ne jetë, nuk mësuam kurrë ti thërrasim profesoreshë. Ajo që nuk na e jep kurrë provimin me të parën, ama për ta marrë e marrim vetë. Se për të mirat aftësitë janë tonat, për të këqijat e kanë fajin të tjerët. Do donim të merrnim ndonjë përgjegjësi mbi supe, po jemi thjesht shumë të mirë.
Do qajmë edhe për atë shefin që sillet si idiot, po ne gjithsesi si frikacakë nuk e marrim guximin të shkojmë diku tjetër. Ça është ky ndryshimi njëherë?! Kisha krijuar zonën time të komfortit edhe këtu unë.
Qajmë edhe për atë vajzën që nuk të ktheu kurrë përgjigje, ndoshta sepse ti nuk ke një Porche, ose ndoshta, thjesht dhe vetëm sepse ti nuk di të flasësh e aq më pak te flirtosh. Por gjithsesi nuk është faji yt, i botës duhet të jetë.
Do kemi një të qarë edhe për atë djalin që të la. Megjithëse gënjeu e të tradhtoi, megjithëse ti tani do duhej të ishe në kishë duke ndezur qiri në shenjë falenderimi që ai iku, por do qajmë sepse se ça kishte si ndryshe, se si e mbante gotën e ujit.
Le të gjejmë çdo gjë negative të mbetur pa përmendur e të qajmë për to. Pastaj, për mbyllje e shplarje, të gjejmë ndonjë drogë ekzotike për të provuar. Se na duket vetja pak Pablo Escobar, pak Marley e pak Whitney ose Amy Winehouse, e kështu i ritregojmë vetes se sa të mëdhenj do ishim bërë po të kishim lindur në kushte të tjera. Se rrethanat na e kanë fajin patjetër.
Le të qajmë e ankohemi se kaq na ka mbetur fuqi për të bërë. Se e qeshura do guxim. Të kuptuarit që gjithçka është pjesë e kësaj gjësë magjike, të vështirë, të bukur, e strapacuese, tmerrësisht të mrekullueshme të quajtur jetë; do njerëz (ndjesë për fjalorin nëse ju preket edukata juaj delikate) me këllqe. Dhe ne, nga guximi e këllqet na kanë mbetur veç fjalët në fjalor. Le të qajmë e të fshihemi pas lotëve dhe të zëmë vend në errësirën e “kohërave të këqija” që na ra të jetojmë.
Brez i llastuar që ka mësuar shumë mirë vetëm rolin e viktimës. Ja, këta jemi ne!! Brez që di vetëm t’ja mbathi nga përgjegjësitë, emocionet, nga gjithë jeta. Ne duam të ndryshojmë botën, po duam që ajo ta kuptojë këtë dhe të ndryshojë ndërkohë që ne qajmë për të. Të bëjë ndonjë gjë vetë dhe ajo, s’do i bëjmë të gjitha ne.
Nuk do e mësojmë ndoshta kurrë ne, që ata që vërtet duan të bëjnë ndryshimin nuk ju del koha të qajnë e ankohen, se janë duke punuar çdo ditë në çdo formë për të arritur atë që duan!!
Por, ne të qajmë një herë si fillim, të ankohemi pastaj se si na ra fati të jetojmë në këto kohë të pasigurta dhe të shëmtuara me gjithë të këqijat, pastaj të gjejmë gabimet tek çdo gjë që kanë bërë ata që zgjodhën të vënë ndonjë gur në themel, e pastaj të qajmë prapë.
Ndërkohë le të falenderojmë natyrën që dikur e mbushi universin me qënie kurioze e plot dashuri për jetën që bënë të mundur që sot të njohim paqen, të njohim teknologjinë, të njohim jetën komode. I dha tokës dikur luftëtarë trima, e njerëz që përtonin të bënin viktimën, kështu që zgjidhnin gjënë e dytë më të mirë: Përpjekjen!
Kohët e vështira nxjerrin njerëz të mëdhenj, kështu që ka akoma shpresë. Sepse për shkak të shkatërrimit që po i bëhet tokës nga njerëzit e vegjël, ndoshta brezi i ardhshëm do jetë ai i njerëzve të mëdhenj, që nuk do ketë kohë të qajë, se e kemi harxhuar ne edhe pjesën e tyre.
Le të qajmë, por ndër të tjera e mbi të gjitha për paaftësinë e të qënit diçka më shumë se qaramanë!
© AZ