
Kur ndizen dritat…
Sa gjëra bëhen në emrin tënd, o Dashuri!
Sa herë kemi maskuar arrogancën me: Po e them për ty.
Sa herë kemi maskuar frikën me: Bëje për veten po deshe, jo për mua.
Sa herë e kemi maskuar ndjenjën e fajit me: Ashtu tu duk ty. Nuk ishte ky qëllimi.
Dashuria nuk mund të jetë kurrsesi diçka që e përdorim për ta vënë kolateral. Përkundrazi, Dashuria, duhet mbrojtur me çdokusht, ndonjëherë nëse duhet; dhe duke vënë kolateral për të.
E njoh unë dashurinë. Kam lindur me talentin ta dalloj kilometra larg. E nuk jam zhgënjyer kurrë prej saj. I kam atribuar shpesh njerëzve ndjesi që nuk kishin mjaftueshëm shpirt për ta mbajtur. Se ky është marifeti me dashurinë; nuk ka nevojë për shpatulla të mbahet, duhet veç shpirt.
Sepse shpesh, dashuria na ndan në dysh në mënyrë që të hapë rrugën që dikush të hyjë brenda nesh, e të ndërtojë shtëpi me themel në shpirt. Nga ato shtëpi që nuk vihen kolateral.
Dashuria është për trimat. Dashuria është e butë. Dashuria është e dritës. Dashuria tremb errësirën.
Dashuria nuk të sëmur, nuk të lodh, nuk të mërzit. Paaftësia për të guxuar për të, paaftësia për të luftuar për të, ndoshta.
Dashuria nuk ka lidhje as me kryeneçësinë e as me llogaritjen.
Kur dashuria është prezent, çdo gjë bëjmë për ti bërë dëm vetes kthehet në motiv konflikti. Dashuria tenton gjjthnjë të na përzejë çfarë deri në atë moment na ka dëmtuar pa kuptuar; çfarë deri në atë moment e kemi përdorur si mbrojtje për ti qëndruar larg asaj.
Se e vërteta është, kur dashuria vjen, ndizen dritat; e kur ndizen dritat, nuk fshehim dot më plagët. Shenjat e lëna nga çdo luftë kemi kaluar, dhimbjet nga të cilat ndoshta nuk jemi shëruar plotësisht. Kur ndizen dritat, na merr malli më shumë seç e prisnim për errësirën. Kur ndizen dritat, kuptojmë që edhe pse jemi ruajtur shumë, nuk kemi ngurtësuar dot njerëzoren brenda nesh.
Kur ndizen dritat, kuptojmë që kemi guxuar sërish, e sërish kemi lënë veten të hapur ndaj dikujt, duke u lutur nën zë që do zgjedhë të na dojë, edhe pasi të na lexojë çdo plagë, e shenjë, e dhimbje.
Shpesh kur jemi ende duke u dridhur nga frika, dashuria na kujton që jemi të gjithë të thyer e të plasaritur, e prej aty na hyn drita.
© AZ