
Ku ta çoj dashurinë për ty?
Që kur ke ikur ti, kur dal nga shtëpia, e lë dritën ndezur. Më duket sikur do më dhembë më pak të kthehem në shtëpi që ka tashmë dritë.
Edhe pse, sa herë drejtohem për nga dera më vjen imazhi yt i fundit.
***
I kam ende para syve shpatullat e tua duke dale nga dera. Dëgjohej veç zhurma e valixhes tënde gri, që ishte pas teje.
Kur ti ike, në atë valixhe kishe dhe fuqinë për të thyer zemrën time. Tashmë nuk është më e mundur, dhe unë do e doja mbrapsht.
Dua mbrapsht aftësinë për të mu thyer zemra dhe hajde fut dashurinë time në atë valixhe. Merre me vete. Ça të bëj unë me të? Ku ta çoj?
***
Zbres në qytetin që si për të më ndihmuar mua, i ka fshirë gjurmët që kanë kujtime nga ne të dy. Pallatet janë ndryshuar, mbushur me artin e njerëzve që dhimbja a gëzimi ju fliste sa një faqe pallati.
“Ka kohë që s’shihemi dhe ndjej
si të harroj une dalëngadalë
si vdes tek une kujtimi yt
si vdesin flokët dhe gjithçka.”
Më gjen duke pirë një kafe, kjo poezi e Kadaresë. Shkruar në muret e pallatit përballë, dikush, dikujt ka dashur ti lërë diçka.
S’di më a të kujtoj si dukesh. Kur ti ike, unë fiksova veç shpatullat e tua në mes të derës së shtëpisë sime, tonës dikur. Ja vura detyrë vetes që të kujtoja mbi të gjitha atë pamje, se do ishte e vetmja që do më garantonte që nuk ishte e gjitha në kokën time.
***
Të pashë sot në Tiranë.
Sigurisht, nuk ju besoja as syve dhe as ndjesive.
Dikur, i lutesha Tiranës, që diku të të nxirrte e të të shihja.
Është e vogël Tirana, nuk të mban dot fshehur.
Është besnike Tirana, nuk të mban dot ty, pa më lajmëruar mua.
Tirana më zgjedh mua gjithnjë, por ti nuk e kupton dot këtë; këtë të zgjedhurën kështu, se pikërisht këtë, nuk e bëre kurrë.
***
Të kërkoja dikur që dashurinë time për ty ta merrje e ta fusje në valixhen që more me gjërat e tua, e të më ktheje mundësinë të më thyhej zemra; që kishe marrë bashkë me librat që të kisha dhuruar. Libra që do të të mësonin për mua shumë më shumë se unë, nëse do i kishe lexuar. Por, ja, ndoshta tani do nisësh të më njohësh.
Mësova ta mbush çdo thyerje me dritë, e të shpërndaj në jetë dashurinë që më kish’ mbetur për ty. Se unë e dua jetën, edhe kur nuk është e lehtë.
Ndoshta këtu u ndanë rrugët tona, ti bën gati valixhet kur bëhet vështirë, unë aty filloj nxjerr arsenalet e rënda.
E mora dashurinë për ty dhe e futa tek çdo fjali që nuk më bënte kuptim; ja vesha çdo strofe që nuk rimonte, e derdha në çdo shkrim që nuk lidhej dot.
E mora dashurinë që kisha për ty dhe e hodha tek çdo fjalë që shkruajta.
***
Fillova prapë të fik dritën kur dal nga shtëpia, e ta ndez kur të kthehem. U desh të ikje ti që të mësoja që dritën tek unë, s’mund ta ndezë askush që nuk jam unë. Faleminderit, që kur ike, dashurinë time për ty nuk e more në valixhe, se kështu mësova ta kthej aty ku qëndron, tek fjala.
© AZ
24-07-2025