
Kemi nevojë për aleatë !
Në ditët e këqija, në ditët e mira, në ditët e nxehta e në ato të acarta, në pushim apo punë, në festë apo ditë të ‘thjeshta’, kemi nevojë për aleatë !
Kemi nevojë njerëz që na kuptojnë botën. Ata që na njohin shikimin. Ata që e dinë kur duhet të na rrahin krahët, e të na thonë: “Po ja del shkëlqyeshëm !” sidomos në ditët që ne vetë e dimë që po dështojmë suksesshëm.
Sepse është shumë e vështirë ta shohësh e gjykosh veten me sytë e tu. Ndonjëherë je tepër i/e mirë me veten, dhe kështu nuk arrin të përmirësohesh.
Por, në më të shumtat e rasteve, jemi shumë të këqinj me veten. Ja nënvizojmë gabimet edhe më të vogla. Nuk di të them se sa shumë njerëz që shkëmbehemi në rrugë janë me nerva me veten, janë duke i numëruar vetes brenda kokës së tyre sa gabime kanë bërë. Nëse ke ndërmend të kritikosh dikë për diçka, apo akoma më keq, ta gjykosh, më beso ti je minimalisht njeriu I dytë që po e bën. Me siguri ai/ajo e ka kaluar tashmë gjyqin e tmerrshëm të pasqyrës dhe mendjes së vet. Kështu që provoje ndryshe. Lëvize fokusin nga kritika që kishe nisur dhe thuaji diçka të bukur, diçka që po e bën mirë. Ka jetë që kanë shpëtuar, vetëm nga fjala e duhur në momentin e duhur, unë e di mirë, ma beso !
Na duhen aleatë në këtë botë që nuk ka asgjë të sigurt. Është shumë e vështirë të dish çfarë do të ndodhë nesër, është praktikisht e pamundur të parashikosh sadopak të ardhmen, prandaj duhen njerëz. Ata që janë aty kur bota përmbyset, e nga hiçi, anija e sigurt nis të fusë ujë. Ata që janë aty kur krejt papritur kthehet pllaka e historisë e asgjë nuk është siç e dije. Duhen njerëzit që të duartrokasin e të brohorasin. Duhen ata që jo thjesht të shtrëngojnë dorën. Por të afrojnë shkallët që të hipësh drejt majës që meriton e ata e dinë mirë se sa e meriton. Ndërkohë janë aty, duke të mbajtur shkallët, duke të mos lënë vetëm, edhe kur ti harron ndonjëherë të kthesh kokën pas.
Ndër të gjitha ngjyrat që një jetë ka, ende nuk ka dalë asgjë mjaft e fuqishme për të zbehur dhimbjen e një zemre të thyer. Përveç atyre, aleatëve. Ata që vijnë me një shishe verë dhe pak çokollatë si për të të ngjitur sadopak atë të bërë thërrime në kraharor.
Por edhe zemra e gufuar, e lumtur, ka nevojë për njerëz. Për ata që sollën verën kur ishe në tokë, jua çon ti verën dhe trokisni gotat në festë.
Unë hyj tek lloji I aleatit që jam gjithmonë aty, që njoh vetëm të drejtën e njerëzve të mij, që kushtetuta ime bëhet nga njerëzit e skuadrës time. Për mua nuk mjafton vetëm dikush në krah, nuk mjafton vetëm familja e gjakut, duhen njerëz. Duhen aleatë që janë në krahun tënd, që të zgjojnë nga gjumi, që të kthejnë sytë nga vetja.
Kemi nevojë për aleatë. Ata që vijnë edhe janë aty edhe pse ne nuk dimë ti kërkojmë ndonjëherë, edhe pse nuk dimë t’jua themi sa shumë do donim ti kishim në krah në ato momente. Ndoshta sepse asnjëherë s’na u desh ta themi. Ndoshta sepse ishin gjithmonë aty. Kemi nevojë për njerëz që janë në anën tonë, gjithmonë. Mbi të gjitha kur ne jemi kundër vetes !
Kemi nevojë për aleatë, se kohët ndryshojnë, luftërat mbarojnë, zemrat shërohen, por le ta themi, vera nuk shijon kurrë vetëm !
© AZ
11/04/2019