
Kam jetuar në emrin tënd, Dashuri !
“Nëse i gjykon njerëzit, nuk të mbetet kohë ti duash.”
Kjo mbetet një nga mësimet më të vyera të Nënë Terezës. Megjithatë, nuk kemi arritur ta mësojmë, asnjë nga ne.
Ne gjykojmë gjithë kohës. Ne gjykojmë mënyrën si vishesh, mënyrën si flet, kur bie të flesh, në çfarë ore zgjohesh, për çfarë mërzitesh, për çfarë gëzohesh. Ne njohim vetëm emocionet e pasqyrës. Ne harrojmë që kujtdo i hedhim fjalët, mendimet e mbi të gjitha gjykimet, është dikush që del në pasqyrë çdo mëngjes, dhe përballet me gjykimin më të fortë, atë të vetes.
Ne harxhojmë kohë duke ju drejtuar gishtat njerëzve. Duke parë me kujdes, imtësi e detaje çdo veprim të të tjerëve, dhe duke marrë kështu guximin budalla, të drejtën inekzistente për të gjykuar mënyrën si kanë vendosur të jetojnë jetën e tyre. Kemi ama shumë justifikime racionale pse e bëjmë, shpesh mundohemi ti këshillojmë, ndonjëherë ti mbrojmë, dhe jo rrallë e quajmë gjykimin formë dashurie.
Por, nuk është kështu.
Dashuria është tjetër gjë. Dashuria nuk drejton gishta, dashuria përqafon. Dashuria gjen forma të jetë, edhe kur nuk është. Dashuria shëron, e asnjëherë nuk lëndon. Dashuria është si gjilpëra ndonjëherë, dhemb pak në fillim, po shpejt ja ndjen frytet kur ngrihesh në këmbë. Dashuria fal, i le gjërat të shkojnë, se nuk ka kohë për të humbur në inat e mërzi.
Kur na kap mendjemadhësia të bëhemi më katolik se Papa, dhe më të drejtë se universi shpesh humbim shumë. Humbim ndjesi të bukura, humbim momente të veçanta, humbim çaste magjike. Se në fund të ditës sytë tanë do kërkojnë atë drejt të cilës e udhëheqin truri e zemra. Njëlloj siç ndodh kur dashuron dikë që të duket sikur e sheh në çdo fytyrë me të cilën kryqëzohesh. Ose kur të mungon dikush, dhe dora të shkon gjithmonë tek ajo bisedë ne telefon, dhe këmbët të shkojnë tek bari ku e takoje gjithmonë.
Sepse kështu është dashuria. Nëse dashuron ka veç një rrugë për lumturinë.
Dashuria është e bardhë dhe plot dritë. Dashuria nuk manipulon, nuk flet keq, nuk hedh baltë, dashuria veç jep dhe në këmbim merr gjithmonë. Sepse edhe kur përballë ke akull, dashuria shkon si rreze dielli. Nuk ka asgjë më të bukur në këtë botë se një trup i ngrirë qe shkrin në një përqafim të vërtetë, se një ball i rrudhur që lirohet nga një fjalë e ngrohtë.
Ka mjaft të këqija në botë, ka mjaft padrejtësi, ka mjaft dhimbje. Dashuri jo. Dashuri nuk ka mjaftueshëm. Se dashuria zë vend në zemra të pastra, dashuria përqafon shpirtra të vërtetë. Dashuria vjen kur e meriton, e jo thjesht kur ja ke nevojën. Sepse dashuria ke nevojë për kujdes të vërtetë që buron prej zemre të bardhë. Dashuria vjen në mirësi!
Nuk të del koha të duash nëse gjykon, por nëse i dorëzohesh dashurisë, nuk të del koha as të mërzitesh. Sepse dashuria ka rrënjë në buzëqeshje, dhe prej andej i buron forca.
Ndoshta do zgjohemi një ditë pastruar nga mëritë e kota. Ndoshta do vendosim një ditë që kohën aq shumë të vyer, do ta harxhojmë në buzëqeshje, përqafime, falje e lumturi. Do zgjohemi një ditë, dhe do vendosim të ndjekim diellin e dashurinë e do lëmë mënjanë çdo joshje që sjell shfryrja në gjykim.
Ndoshta atë ditë, me zë të lartë, e zemër plot do arrijmë të themi:
Kam jetuar në emrin tënd, Dashuri !
© AZ