
Kafja e parë e mëngjesit të së hënës
Ka dalë dielli. Është ngrohur koha. Kanë nisur të mbushen plot dhe baret, dhe parqet.
Do vish të pimë një kafe? Pa detyrime. As do të të kërkoj e as do më kërkosh asgjë. Një kafe. Mos u tremb, nuk do të të pyes për asgjë që nuk do duash të ma thuash. Si dy njerëz të saponjohur, do flasim për rrëmujën e qytetit, për trafikun, për motin, për atë djalin me model të çuditshëm flokësh dhe atë vajzën që po qesh në telefon. Do flasim për çdo gjë, përveç se për ty e për mua.
Dashuria është dhe e thjeshtë, pa komplikime, pa drama. Dashuria di të jetë edhe qetësi, dhe arratisje nga lodhja, madje madje, kjo është forma më e pastër dhe e bukur e dashurisë. Ajo për tek e cila vrapojmë në ditët e shëmtuara e plot lodhje, ajo që na kthen buzëqeshjen ashtu thjesht, me një përqafim.
Ja, kështu më bindje në llastimet e mia. Të kujtohet?
“Do të jenë të bukura të hënat që do nisim bashkë” kështu më thoje, sa herë të ankohesha se mezi zgjohesha të hënave. E të them të drejtën nuk është se të besoja shumë, se e hëna mbetet e hënë, ç’rëndësi ka se si e nis.
Isha gabuar.
Janë vërtet të bukura të hënat që nisin me ty. Ti ke marrë përsipër të më zgjosh duke qeshur e me kafen gati, të hënave. Si një pakt i bërë pa fjalë. Më ke hequr ‘barrën’ që të jem pozitive të hënave, të paktën jo pa pirë kafen.
Qesh sa herë kujtoj ankesat e mia të pafundme për lodhjen e një jave që s’kish nisur mirë akoma, për përtesën për ta nisur, dhe buzëqeshja jote që më linte në vorbullën time të pakënaqësive. ‘Koha do të të tregojë shumë shpejt sa e bukur është të kesh për çfarë të ankohesh të hënave…’ – kështu i përgjigjeshe rrudhjes së fytyrës time.
Dita sapo ka nisur. Dielli ka filluar të ngrohë qytetin. Dikush i bie burisë, thua ajo do e lirojë trafikun, dikush nxiton në këmbë për të kapur orarin e punës. Baret e kafenetë janë plot.
Aroma e kafes, avulli i nxehtë që duket mbi filxhan, dhe ndjesia e gllënjkës së parë të kafes. Është e hënë. Ka rinisur jeta!
Po po, ke patur të drejtë, në kohën e duhur, me njerëzit e duhur, jeta është aq e thjeshtë por dhe aq e bukur, sa kafja e parë e mëngjesit të së hënës.
©AZ