
Ka një kohë për tu zbutur.
Mu desh të mësoja butësinë për të të dashur ty.
Më dukej sikur do më thyheshe sa herë të shtrëngoja më gjatë në përqafim.
E pastaj, diçka ndodhte, dhe e shihja forcën tënde të shpalosej pa kusht, sidomos kur në mes bëhej fjalë për mbrojtje.
Unë e di si të rreh zemra ty në përqafim. Nëse më pyesin a të njoh, mendoj që të njoh shumë mirë.
Të njoh rrahjen në përqafim. Sigurisht të tjerat janë krejt pak e të parëndësishme.
Mu desh të mësoja frymëmarrjen, të qëndruarit në vend, për t’ju përshtatur ritmit tënd. Derisa erdhe ti, nuk e kisha njohur dashurinë që fuqizon duke zbutur, që duke jetuar përditshmërinë i heq nevojën çdo përralle.
E mendoj ndonjëherë, po sikur mos të ishim njohur kurrë?
Si do ishte nëse nuk do e kisha prekur jetën tënde asnjëherë?
Të dëgjova me vëmendje sot, teksa ndërkohë që flisje për ne, the:
“Nuk gjej dot një formë për të kujtuar jetën time kur ti nuk ishe pjesë e saj. E di, kam jetuar përpara, e kam jetuar mirë, por më duket sikur diku në cep të panoramave të jetës sime, ti ke qënë fshehur, edhe pse ende nuk të njihja atëherë.”
Ne e kemi shenjuar jetën e njëri-tjetrit. E kemi shenjuar me prezencë dhe mungesë.
Ti ma merr frymën. Ose më saktë, ma sjell.
Sa herë të shoh duke u afruar, mbushem thellë me frymë, siç bëjmë zakonisht kur arrijmë në majë të malit, teksa mbushim sytë me pamjen, e mushkëritë me oksigjenin e pastër. Ti je pamja ime nga mali.
Mu desh të ecja shumë për të qënë me ty. Një rrugëtim i tërë i gjetjes së vetes. E do të të pyes edhe ty vazhdimisht sa të të njoh, pra gjithë jetën.
Çfarë të ka vrarë? Çfarë të ka lënduar?
Por, mbi të gjitha, çfarë ti ka bërë sytë të qeshin?
Ti e di tashmë që unë nuk i besoj njerëzve që kanë veç vuajtje për të numëruar për jetën. Ata që kanë vuajtur boll, që kanë qarë më shumë seç ju takon, por kanë qeshur shumë pak, kanë luajtur në pamjaftueshmëri.
Mendoj që njeriu ja njeh shijen jetës në gëzim, ja njeh më së miri vlerën vetes në lumturi.
Ja, na shih ne, filluam ta duam më shumë jetën e veten, kur filluam të donim njëri-tjetrin.
Thonë që çfarë nuk na vret, na bën më të fortë. Unë mendoj që çfarë na zbut na bën më të lumtur. E do zgjidhja përqafimin e të dytës gjithmonë, edhe pse vjen me rrezikun e të parës.
Mua më është dashur të eci shumë për të ardhur deri tek ty. Më është dashur ta zhbëj dhe rindërtoj besimin tek vetja, imazhin e vetes. E mbi të gjitha, më është dashur të ulem këmbëkryq me dhimbjen time, ta njoh, ta shëroj e sot ta kem mbi shpatulla pa një peshë.
Të njoha në momentin që të njoha, se çdo sekondë më parë nuk do isha gati për ty. Të njoha atëherë, se çdo sekondë më parë nuk do të të zgjidhja ty. Dashuria është zgjedhje. Ne zgjedhim përditë ti duam njerëzit që duam. E unë kur zgjedh, më pëlqen të zgjedh vazhdimisht…
© AZ