
Ka kohë.
Ti do zgjohesh të shtunën e fundit të qershorit dhe me dorë do e kërkosh në anën tjetër të krevatit. E i trembur do ngrihesh duke e kërkuar nëpër shtëpi. Por, nuk është apo jo?!
Ndërkohë jo shumë larg në kilometra, ajo është zgjuar. Ka vënë ujin për kafen, ka hapur dritaret për të lënë diellin e fortë të fund-qershorit të prekë shtëpinë. Sigurisht, ende të kërkon me sy, edhe pse e di që ti nuk je aty, se nuk ta ndjen aromën.
Është e shtunë. Të shtunat e qershorit janë si trailer i verës, i asaj që të pret për dy muajt e tjerë. Prandaj sikur bëhemi më kërkues ndaj të shtunave të qershorit.
Ti ngrihesh përtueshëm nga krevati, shkon direkt tek uji i ftohtë, si për të sfiduar vapën që nis, pa nisur mirë dita tashmë.
Luan me telefonin në duar duke pyetur veten a ta marrësh në telefon, a ti shkruash, apo të vazhdosh të luash “E ka kush e ka?” me jetën tënde dhe të sajën.
Ajo ndërkohë, ka marrë filxhanin e kafes, një gotë lëng portokalli, dhe është ulur pranë dritares që e lejon të kundrojë qiellin blu të fortë të verës. Kthen kokën nga telefoni, por nuk e prek. Ajo tashmë nuk ka asnjë ide si mund të përgjigjesh ti, e sado e thjesht të jetë dëshira e saj për të të dëgjuar zërin, përgjigjja jote e komplikon.
E nëse nuk e gjen më? Po këtë e ke menduar ?
Nëse ditën që ti do zgjohesh, e do vraposh për të vajtur tek ajo, thjesht nuk do jetë më?
Nuk është e lehtë me të. Ajo nuk do asgjë përgjysëm. Ose ja jep të gjitha, ose nuk do asgjë.
Edhe dashurinë, edhe mungesën, edhe luftën, edhe paqen, edhe lumturinë, edhe dhimbjen. Të gjitha, deri në maksimum. Ti e di, e ke krahë kur të duhet, të shtyn në çfarë duhet, por mbi të gjitha, është aty, gjithmonë.
Tek ju koha nuk është kurrë faktor matës. Ju e masni atë me orën tuaj. Koha fillon e pushon sipas komandimit që i japin frymëmarrjet tuaja.
Ajo ka vajtur në Paris pa ty. Ti ke vajtur në Verona pa të. Por me gjithë magjinë e Eiffelit apo romanticitetin e Zhuljetës, ju keni Romën për të qënë bashkë; “La citta eterna”. Për Romën, koha nuk ekziston, ashtu si për ju.
Ajo do e prekë telefonin, e ti do e çosh mesazhin. Roma do ju presë, e bota do ju japë gjithë kohën që ju doni. Nuk është problemi që nuk ka kohë, ose më saktë nuk ka asnjë problem. Ka vetëm shumë dëshirë, shumë dashuri, shumë magji të vërtetë.
Për ju ka kohë, por dashuria ka nevojë për disa minuta më shumë me ju, tani.
Është e shtunë korriku. Ju zgjoheni, pini kafen pa dalë mirë nga krevati. Ndoshta do çoheni e do shkoni në det a lum. Ndoshta do shkoni në mal. Ndoshta do ndizni kondicionerin e thjesht nuk do dilni nga dhoma.
Në drekë, do uleni të hani, e do ngrini një dolli:
“Për dashurinë që na priti, për kohën që na dha, për ne!”
Sepse, gjithmonë ka kohë, sidomos kur e kërkojmë atë!
© AZ
01.07.2021