
Jeta vazhdon edhe me zemër të thyer.
– Dashuria me shikim të parë është në të vërtetë një gënjeshtër e madhe. Nuk më ka pëlqyer kurrë.
– Po me të, ç’pate tani?
– Po nuk më pëlqen. Madje, më duket ofenduese.
– Hajde flasim për të atëherë. Pse?
– Sepse zakonisht shuhet shpejt, nëse fillon jetohet.
– Që do të thotë?
– Pra, për sa kohë nuk ka nisur të jetohet si marrëdhënie, idealizohet. Pastaj, Ai i thotë asaj që e ka ditur që herën e parë. E pastaj ajo i jep një shans. Por, përditshmëria i zbret me këmbë në tokë dashuritë. Po të jesh i vëmendshëm e sheh që nuk flitet shumë për përditshmërinë e dashurive që mbijetojnë. Për të bërit pazarin, të vendosurin lavatriçen. Nuk tregohet për momentet ku ndërkohë që lahen enët përqafohet nga mbrapa, apo sesi pesë minuta më vonë bërtitet për rrobat e pahekurosura.
– Bie dakord me ty këtu. Nuk flasim për dashurinë në ngjyra përditshmërie. E trajtojmë si diçka përrallash, e trajtojmë sikur do na thyhet në dorë, e kështu, automatikisht e veshim me frikë.
– Ekzaktësisht kështu.
– Po pse e lidhe këtë me dashurinë me shikim të parë?
– Sepse kur këto marrëdhënie dështojnë, ajo që mësojmë është që mbaroi dashuria kur më njohu. Më donte sa më pa, ama kur filloi të më jetonte, rreshti.
– …….
– Kam të drejtë apo jo?
(Tund krahët dhe kokën për të treguar pasiguri.)
– E di, nuk është e bukur ta dëgjosh. A e di pse nuk i besova kurrë kur më thoshte që më donte?
– Më trego.
– Sepse me këtë vrull e nisi. “E dija që herën e parë që të pashë.” – më tha.
– E në fakt iku po aq shpejt.
– Po. E ndër të tjera, nuk njihet dashuria nëse nuk njihet gëzimi. Kur më shohin në fillim ju dukem si diçka ekzotike. Si ato kafshët e xhunglës. Që nëse të lënë tu afrohesh të duket kushedi çke bërë, por të dalin nga qejfi po aq shpejt. Se marrëdhëniet nuk janë kuriozitet, janë punë, e vazhdueshme.
– Dhe ai nuk e bëri punën që kishte nevojë.
– Nuk donte. Unë jam e përkohshme në jetët e njerëzve. Nuk jam terminali, jam thjesht stacion.
– Unë tek ty do zbrisja.
– Po nuk ke arritur ende.
– Po pse duhet të jesh një gjë statike? Pse nuk je makina ose avioni përshembull?
– Se unë jam aty. Gjithmonë.
– Ndoshta këtu fillon problemi.
– Çfarë do të thuash?
– Nuk mund të bëjmë shtëpi nga njerëzit, se njerëzit janë qënie të lëvizshme. Nëse je gjjthmonë aty, lëviz atëherë. Vazhdo, ec. Mos prit.
– Mes të më priturit ti dhe të të priturit unë ka kaq shumë ndryshim, e di? Se nuk ka rëndësi sa je duke më pritur ti nëse unë nuk jam gati të nisem.
– Patjetër. Por mos qëndro pa lëvizur nga frika se kur të vijnë ti s’do jesh më aty. Nëse do duan vërtetë, do vijnë të të gjejnë kurdo të ikësh.
– Ohu, e di unë si shkon kjo historia. E kam parë këtë film me qindra herë. Njerëzit zhduken. Ikin. Kujtohen kur ju leverdis.
Por, jeta vazhdon edhe me zemër të thyer.
– E ti e di më mirë se unë, se dashuria shëron shumë organe, e mbi të gjitha zemrën. E në mos atë me shikim të parë, me siguri po vjen ajo me shikim të dytë.
© AZ