
Histori vjeshte
Ti do të vish një ditë apo jo?!
Dhe kur të vish ti do jetë vjeshtë… Sepse në vjeshtë asgjë nuk lind, por ty të ka pëlqyer gjithnjë të jesh kundra rrymës, e do zgjedhësh të vish pikërisht kur unë të mos jem duke të pritur.
***
Sot, mu kujtove krejt rastësisht, nga një titull filmi që ti ma ke këshilluar. Sa herë mendoj që të kam harruar, fshirë madje nga kujtimet, universi të sjell.
Unë e kam thënë me kohë që unë e ti do e gjejmë një ditë rrugën për tek njëri tjetri. Por, kjo është aq magjike, aq e imja, sa unë thjesht ndalova së foluri për ty.
E për fat, edhe bota rreshti së më pyeturi për ty. Kështu që nuk më duhet të shmang shikimin, se mos dikush kupton diçka tjetër nga ajo që po thotë goja.
Por, ndonjëherë, universi të punon rrengje të çuditshme me të cilat nuk je mësuar.
Jam ulur në barin tim të përhershëm, me filxhanin tim të përhershëm të kafesë, duke pritur shoqen time të përhershme. Unë kam patur gjithnjë një marrëdhënie shumë të mirë me qytetin, mi gjen telat gjithmonë, edhe jam duke e shijuar paqen që më fal, si përherë.
Kur ajo ulet përballë meje, unë jam aq e përhumbur në rutinë, sa mezi nisa bashkëbisedimin.
“Të ka marrë malli?”
Gati u mbyta. Pi ujë, mbushem me frymë, e më në fund marr guximin të kthej përgjigje.
” Ë? Malli? Për kë?”
“Ohu dhe ti tani; për kë. Po për kë hë. Për atë.”
I shmang shikimin. Mbushem sërish me frymë. Nuk po mbytem më.
“Të paska marrë…E takova sot në rrugë. Më pyeti për ty. Pa i thënë asgjë, e pyeta edhe atë kështu. Po më tha. Ohu, unë nuk merrem më me ju.”
Jam humbur. Nuk di ku kam vajtur. Qëndroj me atë shoqen edhe për dy orë ndoshta. Nuk di. As rrugën për në shtëpi nuk di si e gjeta.
Ajo që di është që jam me nerva. Të ka marrë malli? E pse? E kush të dha leje ty të të marrë malli për mua?! Fjalë boshe. Të të merrte malli ty, do vije. Por tani është vjeshtë. E unë nuk po të pres, se në vjeshtë asgjë nuk lind.
Shtëpia nuk më mban, kështu që do dal prapë. Vesh fustanin blu, që ti gjithmonë më rrotulloje kur ma shihje veshur. Por, unë se lidh më me ty. Hedh një xhaketë krahëve, se vjeshtë, as moti nuk di si është. Do bëj një xhiro në bulevard e do pushoj pak atje tek vendi. Ndërkohë që bota do vazhdojë të rrotullohet rreth meje. Ka qënë rutina jonë, por ka kohë tashmë që është e imja, veç e imja.
***
Pra, ti hajde.
Unë nuk po të pres.
Do të të them që nuk po të prisja, se bën vjeshtë, e në vjeshtë asgjë nuk lind…përveç historive si kjo e jona, pa asnjë gjethe kuptim e shumë pyje dashni!
©AZ
29-11-2019