
Histeria kolektive e quajtur Big Brother.
Ne kemi një nevojë të pashpjegueshme të shohim njerëzit në pozicione të parehatshme (lexoni për vuajërizmin; ‘1984’ nga George Orwell, na jep një shije të kësaj).
Që prej Romës së Lashtë, kur ndiqnim grumbulluar në mijëra, si argëtim, gladiatorët që luftonin për vdekje, deri në panoramën tashmë të pafundme 24/7 të mosfunksionimit njerëzor që maskohet si Reality TV. Qënia njerëzore ka një ‘neps’ të pashoq për argëtim të pastër dhe të padëmtuar. Aktualisht nuk ka asnjë shfaqje televizive, e cila mishëron më mirë konceptin prozaik të argëtimit të paskenarizuar, të pafiltruar dhe të pacensuruar sesa produksioni Big Brother.
Thënë kjo, produksioni BB nuk ka ka asnjë nevojë të bëjë asgjë për të nxjerë diçka në pah apo për të ulur/ngritur një figurë; konkurrentët e bëjnë vetë për veten e tyre këtë.
Në thelb produksione si BB janë thjesht pasqyrë e shoqërisë në të cilën vendosen. Kryesisht për shkak të aftësisë së saj të çuditshme për të përsëritur me sukses kaosin e organizuar, që është shoqëria më e madhe siç e njohim ne, ndërsa në në të njëjtën kohë duke krijuar një arratisje ndonëse të përkohshme nga mjerimi i jetës sonë të përditshme.
Kur bëhet fjalë për atë që sot po mbush, rrjetet sociale, tavolinat e shtëpive e lokaleve, edhe madje edhe bangat e shkollës, BBVip, interesi bëhet edhe më I lartë, sepse duam të hyjmë në botën e atyre që duartrokasim në salla kinemash/teatrosh e koncertesh, e tashmë me vip-at e rinj, influencers edhe në “salla instagrami”.
Sigurisht që në ditët e para aty brenda, kuptojmë që ata janë humanë si gjithë të tjerët, kur vjen puna në marrëdhënie apo sjellje individuale. Kanë pëlqimet e tyre, kanë humorin e tyre, jo gjithmonë të kuptueshëm. E mbi të gjitha kanë karakterin e tyre, patjetër jo gjithnjë të pëlqyeshëm.
Iliri fitoi vjet, si një dëshirë masive për brezin që ai përfaqësonte, për të qënë të rëndësishëm edhe në një kohë, kur i famshëm bëhesh edhe vetëm me një smartphone e shumë aplikacione. Sepse ndoshta, vjet, kishim një nevojë kolektive (të paktën shumica) për ta rikujtuar talentin dhe famën artistike për atë që është, aftësitë në skenë.
Ama, BB nuk të mat talentin, e as aftësitë skenike, është një show televiziv për të të vendosur përballë aftësive mbijetuese ku nuk vendos kushte, por vetëm pranon. Si mbijeton dhe si sillesh në situata ‘anormale’ jetese. Ne gjykojmë përditshmërinë e tyre, aspak normale, me një mendësi shumë të panjohur me atë lloj jetese.
Gjithashtu në kohërat që po jetojmë, me këtë lulëzim të rrjeteve sociale, shumë prej njerëzve na ofrojnë një panoramë të qartë të përditshmërisë së tyre, duke na krijuar një iluzion që janë ajo që postojnë, edhe pse, nëse marrin pjesë në produksione si BB, kuptojmë që e vërteta është krejt ndryshe.
Ne pëlqejmë të ngjashmit. Një ‘Ilir’ fitimtar na tregon për një shumicë që ëndërron të lërë një gjurmë në vendin nga i cili iku vite më parë, me idenë që do linte një gjurmë në botë. Por, nëse s’ka një gjurmë atje ku linde, pak rëndësi ka ku e ke gjurmën; ndaj duam të fitojë e të na tregojë që mundemi, që shtëpia do na presë kurdo të vendosim të kthehemi.
Ka vetëm një gjë që duhet ti dallojë nga të thjeshtët” konkurrentët e BBVip dhe ajo gjë është talenti. Talent i zbuluar e i njohur për publikun.
Edhe talentin do e marrin me vete kurdo të dalin nga aty; Edhe Olta e Amos që sot urreni, e nesër me siguri do e duartrokisni sërish; edhe Luizi që sot e glorifikoni, e nesër ndoshta sërish do e harroni, siç e bëtë njëherë.
© AZ