
Harrova të të mbaj inat…
Po turfulloja rrugës për në punë.
Po po pikërisht kështu. Turfulloja. Isha bërë me nerva në çdo qelizë, dhe më ishte mbledhur në ballë i gjithë nervi.
Përplasa pas meje derën e zyrës, njëlloj siç kisha përplasur derën e shtëpisë. Sikur u mundova të lija jashtë edhe vullkanin që po më shpërthente në kokë. Por, nuk arrita. Erdhi me mua brenda, erdhi me mua përballë kompjuterit e erdhi me mua edhe në çdo dokument që kisha për të shkruar e takim që kisha për të bërë.
Nuk më lëvizi asnjë sekond mendja nga ty, nuk kishte rëndësi se çfarë bëja, të kisha edhe ty aty. Më bezdiste e nervozonte kaq shumë kjo ndërhyrja jote e gjatë-gjithëkohshme në mendimet e mia. Nga ana tjetër më qeshej, e të respektoja pafund pushtetin e padiskutueshëm në të mirë e në të keq.
E di, e di, edhe unë njëlloj e kam efektin tek ty.
Doja të kisha pasditen e zënë me takime e njerëz, që të shtyja për sa më larg ardhjen për tek ty. Nuk më kishin rënë nervat akoma. Është e pamundur të merresh vesh me ty ndonjëherë. Më lodh. Më duket krejt jashtëtokësore që ti të mos më kuptosh mua, e akoma më keq të më kuptosh mbrapsht. Më mungonte dëshira dhe fuqia për të vazhduar ‘luftën’.
Megjithatë nuk mund të të shmangia për gjatë.
Sa më shumë i afrohesha shtëpisë, edhe më shumë acarohesha. Fiks si tek ajo loja që sa më afër të vërtetës të jesh, thuhet ‘ Zjarr, zjarr’. Ashtu edhe unë. Po shkoja drejt zjarrit tim, dhe isha kthyer në një vullkan prag-shpërthimi.
Hapa derën me zhurmë (vazhdoja me përplasjet e dyerve si manifestimi më i vjetër në botë i zemërimit). Shkova direkt në dhomë të lija gjërat e të ndërrohesha. Të pashë me cep të syrit ulur përballë televizorit, por as nuk doja të të flisja. Vazhdova të bëja zhurmë me ça më dilte përpara për të treguar që kisha ardhur dhe nervat nuk më kishin rënë.
Hyj në kuzhinë dhe nis të përgatis për të ngrënë. Të ndjeva kur u ngrite nga divani dhe po afroheshe drejt kuzhinës. Vazhdova të merresha me darkën. Ti shtron tavolinën për dy. Nxjerr gotat dhe shishen e verës mbetur nga një natë më parë dhe i mbush të dyja. Vjen pranë meje, më afron nga vetja dhe më puth tek koka. Pastaj largohesh sërish për tek cepi jot me dy gotat në dorë. Unë vendosa darkën të bëhet dhe afrohem tek ty.
I kisha harruar të gjitha. Inatet, zemërimin, nervat, çdo gjë. Kisha bërë të gjithë planin për të të mbajtur nerva, se si do të të nxirrja në pah ‘gabimin’ e se si ti do kërkoje falje, e të tjerë , e të tjerë…
Por, ja që harrova.
Harrova të të mbaj inat kur më mblodhe në përqafimin që më drejton të gjitha pikëpyetjet e shpirtit.
Harrova të të mbaj inat se puthja jote tek koka qeteson çdo vullkan brenda saj.
Harrova të mbaj nervat, sapo të pashë sytë që gjithmonë qeshin kur më shohin mua.
Harrova të të mbaj inat, se ti nuk harrove asnjë moment të më duash.
© AZ