
Gjithmonë, me fund për Dashninë!
Është koha për të hequr dorë apo jo?
Ka ardhur momenti të ulim duart dhe armët.
Dhemb. Ashtu si dhemb kur rrëzohesh e vritesh, po aq e gjallë është edhe kjo dhimbje.
Dhemb aty në mes te kraharorit. Rëndon ndoshta.
Po nejse, ç’rëndësi ka tashmë. Çka qënë për tu bërë e për të thënë, ka mbaruar. Nuk ka më as pikëpyetje e as keqkuptime. Është një histori si çdo tjetër, një histori që do mbetet strukur në zemrën e dikujt e ashtu ngadalë do zhduket nga dikush tjetër.
Për bisedën e shpirtit tim me ritmin e muzikës së zemrës tënde. Për përqafimet që ngjisin të gjitha copëzat sërish. Për ‘Si je’-të që pastrojnë të gjitha mërzitë.
Për ndjesi si këto njerëzit jetojnë e dashurojnë, për atë mirëkuptim shpirtash që vështirë ta gjesh në të përditshmen.
Është çdo gjë mirë e në rregull, për sa kohë nuk dhemb e trishton. Nëse një gjë fillon të bëjë keq I ka ardhur fundi, I ka ardhur koha të përshëndetet. Sepse ashtu si askush nuk duhet të bëjë keq me vetëdije, ashtu askush nuk duhet të lejojë veten të ndihet keq me vetëdije.
Akoma sot nuk e di ça ishte gjithë vorbulla e emocioneve që të fala dhe dashur pa dashur të bëra pjesë. Emër nuk I kam vënë, por shpesh e lidhja atë dhe ty me emrin e dashurisë. Flitet shumë për atë të bekuar, e ndonjeherë e vëmë në fjali që nuk I takon, por gjithsesi, unë vetë e lidh me gjëra të bukura vetëm, me ndjesi që prodhojnë veç ndjenja të qeshura. Ndoshta prandaj e kisha lidhur shpesh edhe me ty.
Gjithsesi, cilidoqoftë emri i kësaj vorbulle, është koha për ta përshëndetur. Pa e hedhur poshtë në asnjë moment, e duke e ruajtur gjithmonë me të njëjtin respekt, është koha për ti thënë mirupafshim.
Ndoshta ti nuk e meriton gjithë respektin dhe vendin që unë të dhashë, por unë kështu di të ndjej dhe ti trajtoj njerëzit, duke u munduar gjithmonë të mos I mungoj respektin dhe ti tregoj gjithmonë vendin e vlerat për mua.
Sepse unë kështu di të ndjej e të dua, dhe në më të pakuptimtat raste. Romantike e pashpresë, budallaqe e naïve, të gjitha këto me kënaqësi I mbaj mbi supe, në shkëmbim edhe të vetëm një buzëqeshjeje, fjale të bukur e përqafimi.
E në fund të ditës, ajo me fat mbetem unë, budallaqja e naivja, se ndjeva e dashurova e për pasojë u lumturova shumë më shumë se kushdo që nga frika e dhimbjes, nuk e ngritën kurrë në maksimum volumin e zemrës së tyre.
Kështu që pavarësisht të gjithave dhe gjithçkaje, sot dhe gjithmonë, :
Hajt me fund për dashninë.
Se gjithçka humba tek ty, e lashë me vetëdije të plotë, e do e kisha bërë sërish.
Hajt me fund për dashninë!
Për atë që veshi me magji universin e veshi me buzëqeshje fytyra plot, duke I dhënë zë asaj që rreh në kraharor.
©AZ