
Gabimi i preferuar
Do e përsërisja qindra herë gabimin me emrin tënd.
I dua gabimet. Gjithnjë i kam dashur. Nëse nuk gabon nuk mëson, nuk rritesh, nuk zbulon. Shumë të mira vijnë prej tyre. Të ulin hundët, të forcojnë, të bëjnë të pergjegjshëm. Me pak fjalë shumë pak gjëra do kishte arritur kjo botë nëse nuk do kishte njerëz të gatshëm për të gabuar e mësuar.
Nuk është se unë vërtet e dija sa herë do të të quaja gabim, e sa herë do të ma hidhje poshtë, kur të njoha në fillim. Ama, ajo që di sigurt, është që nuk mendoja që mund të kishte diçka që na bashkonte. Siduket, ende se dija, që ajo që prej vitesh I kisha besuar aq, e kisha quajtur magji se thjesht dashuri nuk më dukej se arrinte të mbulonte gjithë ndjenjat që ndillte; pikërisht ajo, do të më bindte për mrekullinë e të lënit veten të lirë.
Ne jemi të çuditshëm. Asgjë “brenda rregullave”. Të ndryshëm, deri edhe në mënyrën si marrim frymë. Nëse lexon libra rrallë janë për dy si ne. Jemi të komplikuar. Grindemi për gjëra nga më të parëndësishmet, ngrysim mbrëmjet duke folur për misteret e universit, e mbi të gjitha nisim mëngjeset duke zgjedhur sërish, edhe gjithmonë, njëri- tjetrin !
Të kam quajtur shpesh gabim në fillimet tona. Në çdo zënk, thoja tek përplasja telefonin, që ti ishe një gabim i madh. Pastaj ti vije, ose unë të shihja në qytet dhe dilnin disa flutura jo veç ne stomak, po në të gjithë trupin. E sado mundohesha të hiqja buzëqeshjen vetes, tjetër gjë vendoste. Sot është ndryshe. Sot je qetësi. Dikur ishe stuhia që më nxirrte nga zona e komfortit, sot je dielli paqja e shtëpisë sime.
Ti nuk je përralla ime e parajsës, je realiteti im i ngrohtë.
Ti nuk je historia ime me fund të lumtur, sepse ne nuk do të kemi një fund !
© AZ