
Ende ka jetë.
Bën ftohtë megjithëse ka diell. Ulur në një tavolinë pa asnjë centimetër hije tenton të ushqehesh me vitaminë D, megjithëse të duket sikur ai diell nuk ngroh e nuk ndrit. Ndërkohë që të lexohet dukshëm përtesa, qoftë edhe për të ngritur filxhanin e kafes deri tek buzët. Shtyn librin se nuk je në gjendje ti çosh fjalitë deri në fund.
Mbaroi apo jo ? Ajo që kishe aq kohë që ndjeje në atë pjesë të shpirtit që nuk i pranoje as vetes, ndodhi. Çdo gjë që kishe ëndërruar, planifikuar, si me një të shtypur butoni, u fshi.
Ashtu krejt papritur, edhe pse menduar për gjatë, gjendesh përballë një prej mesimeve më të vështira të të rriturit: Ka një afat skadence, ndonjëherë.
Historitë përfundojnë.
Dashuria mbaron.
Njerëzit ikin.
Ajo që do zgjaste përgjithmonë, nuk zgjat.
E kur kupton të gjitha këto, e zakonisht I kupton kur më së paku do, e aq më pak je gati, fillon një rëndesë në kraharor, një dhimbje gati e re dhe ndonjëherë gati e papërballueshme.
Pastaj nisin pikëpyetjet. Nisin ndjenjat e fajit. Se si ndoshta ishe pak ‘tepër’. Tepër e kujdesesshme, tepër e pranishme, tepër e dashur, tepër ‘ti’. Fillon pyet veten se mos ndoshta ishe ti gabimi, se mos ndoshta e ke rënduar shumë.
Pasi të mbarojnë pyetjet e fajit të nis një pyetje e vetme: “Po tani ?!”
A e di që kalon ?
A e di që ka jetë sërish ? Del dielli sërish, plot dritë e ngrohtësi ? Pihet verë sërish ?
Duket e pamundur ndonjëherë, e di. Ndoshta të duket e pamundur edhe tani.
Ndoshta të duket sikur nuk do ndjehesh më kurrë njëlloj ? Sikur, kurrë më nuk do rindjesh të njëjtën gjë që ke ndjerë kur ke pare atë ? Sikur nuk do ndjesh më kurrë te njëjtën ngrohtësi përqafimi ?
Ja pra që jo. Zgjohesh një ditë e kraharori të rëndon më pak. Zgjohesh një ditë dhe sërish kafja është motiv buzëqeshje. Zgjohesh një ditëdhe ke sërish dëshirë të vraposh në dritare e të shikosh qiellin. Zgjohesh një ditë dhe dielli është sërish ylli jot i preferuar.
Vjen një ditë që kur del nga shtëpia nuk kërkon më atë me sy. Vjen një ditë që kur del nga shtëpia nuk duhet të kalosh patjetër përpara shtëpisë së tij duke u lutur që do të ndeshesh. Zgjohesh një ditë dhe ndjen një zemër te gatshme për të besuar sërish.
Dashuria nuk ka domodoshmerisht lidhje me dhimbjen. Nuk duhet patjetër të vuash që të dashurosh, edhe pse Shekspiri apo të tjerë ashtu na e rrëfyen.
Dashuria ti njeh virtytet dhe ti feston. Dashuria të trajton siç je, si një qënie unike. E mbi të gjitha, dashuria qëndron, edhe ti do e kesh ‘përgjithmonë’-in tënd. E nuk ishte ky, sepse ti do e dish kur të jetë i duhuri, më beso.
Ende ka jetë pas zemërthyerjes. Ende ka jetë pas dhimbjes. Madje, më lër të të them që është me shumë më shumë dritë.
Nëse të merr malli, thuaja me zemër, dhe lëre të shkojë . Nëse nuk mund të ishte me ty, as ti nuk e do që të jetë aty.
Dashuria është tango, dyshi është i vetmi numër që njeh !
Paguaje kafen, fute librin në çantë dhe ngrihu. Dil një xhiro në qytetin që aq shumë e do dhe kujto sa shumë e do jetën.
Ti do i gjesh gjithmonë përgjigjet në diell atje ku ende ka jetë, atje ku do ketë gjithmonë jetë.
© AZ